Një muaj pas vdekjes së punëtorit të ndërtimit, shqiptarit Edison Malaj në Cozenca të Italisë ka pasur protesta. Tubimi i organizuar nga shqiptarë mbrëmjen e djeshme, por edhe italiane të zonës u bë me qëllim që të merren masa par kushtet e punës në ndërtim.
55-vjecari shqiptar, baba i dy fëmijëve që jetonte e punonte prej 25 vitesh në ndërtim në shtetin italian humbi jetën një muaj më parë pasi një pllakë betoni u shkëput nga vinçi duke e zënë poshtë në kantierin ku punonte në Castrovillari.
Për ngjarjen po kryhen hetime, ndërkohë që prokurorët e çështjes ende nuk kanë dalë në konkluzionin nëse kompania që kryente punimet respektonte të gjitha rregullat e sigurisë. Nën hetim për ngjarjen vijojnë të jenë pronari dhe dy përgjegjës të kompanisë
Prokurorët kanë sekuestruar gjithashtu kamerat në kantierin ku ndodhi tragjedia si dhe vijojnë me marrjen e dëshmive të punonjësve të tjerë dëshmitarë, ditën e aksidentit fatal.
“Shpresojmë që drejtësia të bëjë detyrën e saj dhe ky është një hap i parë”, tha Sara, vajza e punëtorit që humbi jetën.
“Babi ishte një njeri solar, e donin të gjithë dhe nuk thoshte kurrë jo”, kujtoi Sara, duke falënderuar të gjithë ata që u bashkuan me protestën e tyre.
Dhe pikërisht për t’i dhënë një shtysë hetimeve, që dikush të mbahet përgjegjës për ngjarjen e rëndë, shqiptarë dhe italianë u bënë bashkë dhe protestuan, për gati 181 viktima në punë vetëm përgjatë tre muajve të parë të 2024.
Top Channel