Përplasja në oborrin e Katedrales ‘Ngjallja e Krishtit’, reagon Kisha Ortodokse: Vendet e shenjta nuk janë hapësira konflikti

19/10/2026 20:40

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar pas tensioneve në protestë dhe pamjeve të përplasjeve në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, duke shprehur shqetësimin dhe bërë thirrje për respektimin e vendeve të shenjta.

Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, KOASH thekson se hapësirat e kultit nuk duhet të kthehen në vende përplasjesh dhe konfliktesh.

“Pas pamjeve të ngjarjeve në oborrin e Katedrales ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë, shprehim shqetësimin dhe bëjmë thirrje të respektohen vendet tona të shenjta. Ato asnjëherë nuk janë hapësira konflikti e përplasjeje dhe nuk i pranojnë ato”, thuhet në deklaratën e Kishës.

Në reagimin e saj, Kisha nënvizon rëndësinë e katedrales si një vend lutjeje dhe shërbesash fetare, ku përcillet mesazhi i paqes.

“Katedralja ‘Ngjallja e Krishtit’ është vend i shenjtë lutjeje, vend ku kryhen shërbesat e shenjta dhe ku predikohet kultura e paqes”, theksohet më tej në deklaratë.

REAGIM

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pasi pa pamjet e ngjarjeve në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, shpreh shqetësimin dhe bën thirrje të respektohen vendet e saj të shenjta. Ato asnjëherë nuk janë hapësira konflikti e përplasjeje dhe nuk i pranojnë ato.

Katedralja “Ngjallja e Krishtit” është vend i shenjtë lutjeje, vend ku kryhen shërbesat e shenjta dhe ku predikohet kultura e paqes.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë bën edhe njëherë thirrje për distancim nga dhuna dhe gjetjen e hapësirës së dialogut.

Tiranë, më 19 tetor 2026

Top Channel