Karnavalet në Gjirokastër! Festa e verës zgjati katër ditë, shtohen vizitorët në qytetin turistik

17/03/2024 12:59

Festimet për ditën e Verës në Gjirokastër kanë vijuar edhe përgjatë fundjavës ku karnavalet kanë qenë në qendër të jetës kulturore.

Qindra kostume kanë mbushur rrugët e qytetit ndërsa në mbrëmje është ndezur edhe dordoleci i festës. Atmosfera u plotësua edhe nga një panair kulinarie dhe tradite në sheshin e Çerçizit.

“Gjirokastra ka festuar për të katërtën herë karnavalet, festë që po kthehet në një traditë. Gjirokastra pret këdo që të vijë dhe ta vizitojë”, tha Kristina Gushi.

Një koncert me muzikë shqiptare kulmoi mbrëmjen në shesh nën interpretimin e këngëtarëve të njohur.

“Është kënaqësi të rikthem në një qytet kaq kulturor për të performuar. Jemi me fat që kemi qytete të tilla që promovojnë kulturën dhe prejardhjen. Kur vjen nuk ke shumë pritshmëri por publiku ishte zjarr dhe u kënaqëm shumë”, tha Ardit Çuni.

“Skena flakë si gjithmonë. Jemi këtu në Gjirokastër për vlerën e qytetit trashëgimisë dhe turizmit. Shpresoj që sa më shumë vizitorë ta zbulojnë qytetin”, tha Young Zerka.

Tradicionalisht rituali pagan i karnavaleve zgjonte qytetin nga plogështia e dimrit dhe i dedikohej purifikimit dhe rifillimit të jetës.

Vetëm katër fotografi historike i kanë mbetur qytetit  nga fillim shekulli i kaluar por memoria historike e festës që ka pasur tërësisht identitet lokal është duke u dokumentuar.  Karnavalet e kanë ndryshuar paraqitjen vizuale por jo përmbajtjen. Këtë vit vizitorët po mbërrijnë që prej fillimit të Marsit në Gjirokastër çka flet për një sezon të mirë turistik.

Top Channel