Kryesocialisti Edi Rama i tha asamblesë kombëtare mbledhur në Durrës se për hir të integrimit Europian bashkëpunimi me opozitën është i pashmangshëm.
“Krijimin nga Komisioni i Ligjeve, i një mekanizmi që mundëson ballafaqimin e hapur e të barabartë, mes shumicës e pakicës, për ndërmarrjen e nismave ligjore përtej votave në dispozicion të Partisë Socialiste, duhet të shkojë në drejtimin e duhur për Shqipërinë në përballjen e saj si shtet, jo thjesht si qeveri, me sfidat kombëtare të procesit të anëtarësimit”, shprehet Rama.
Edi Rama u kujdes të sqaronte se ky bashkëpunim me opozitën ka zerro efekt në organet e reja të drejtësisë e posaçërisht SPAKUN.
“U fol këto ditë për pazare, marrëveshje me Non Gratën në dëm të drejtësisë e njohje nga ana jonë të zotërisë në ballkon si lideri i Partisë Demokratike, ashtu sikundër është folur lartë e poshtë, portaleve e socialeve, për trembje të socialistëve nga Spaku e për plane të fshehta për vënien nën kontrollin e shumicës të drejtësisë të re. Është shumë tmerrësisht e thjeshtë për t’u kuptuar: Nëse ne nuk do të donim një drejtësi me duart e lira nga prangat 100 e kusur vjeçare të pushtetit ekzekutiv, i kishim bërë të tëra pazaret e nevojshme për ta penguar ardhjen e kësaj kohe, kur për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, hetohen, gjykohen, dënohen individë të niveleve më të larta të pushtetit politik”, tha Rama.
Kryeministri Rama foli për shndërrimin në resort turistik të ishullit të Sazanit duke theksuar se “Ne nuk do ta shesim as Sazanin e as asnjë zonë tjetër me pronësi shtet tek asnjë i huaj”.
“Këto ditë, Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndrri i ish-Presidentit Trump, shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri! Po ata, që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm, e për investimet e huaja direkte, sot po flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe”, tha Rama.
Kryeministri u angazhua edhe për atë që e quajti rilindje të industrisë ushtarake.
“Në një bisedë që pata me disa kryetarë bashkish, jo të forcës sonë politike, Puka, Fushë-Arrëz, Memaliaj, zona të thella, diskutuam edhe për këtë; reparte ushtarake si fantazma të cilat bashkitë e zonave malore mund t’i kthejnë fare mirë në asete për të kërkuar mbrapsht investime nga emigrantët e këtyre zonave në fushën e turizmit apo agroturizmit. Madje absurdi arrin deri në pikën ku merret peng me sekuestro preventive, në emër të NATO-s një investim me rëndësi strategjike, 200 milionë euro, rreth, në limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për Marinë turistike dhe është pjesë e Programit tonë qeverisës, ndërkohë që prej 2 a 3 vjetësh rri i bllokuar se hetohet mënyra sesi është lidhur kontrata”, u shpreh kryeministri.
Për fushatën e anëtarësimeve në PS me 29.225 anëtarësime të reja Edi Rama u shpreh i kënaqur por vuri si objektiv deri në kongresin e qershorit shkuarjen ne 50.000 përfshi rishikimin e përbërjes së çdo organizate socialiste, me qëllim harmonizimin e përbërjes së secilës organizatë me profilin politik e social të zonë.
Top Channel