Kreu i SPAK, Altin Dumani deklaroi sot se institucioni i vetëm që depoziton kallëzime është Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Në të njëjtin aktivitet, drejtuesi i KLSH-së, Arben Shehu u shpreh se SPAK gjatë kësaj periudhe ka rritur besimin e institucioneve ndërkombëtare, por edhe të qytetarëve.
“Prokuroria Speciale është sot struktura hetimore elitë e shtetit shqiptar. Ajo është produkt i punës së institucioneve shqiptare nën mbështetjen e madhe te institucioneve ndërkombëtare dhe partnerëve të shtetit shqiptar. Përgjatë kësaj periudhe ajo ka arritur që jo vetëm të përballojë nevojat e shoqërisë shqiptare por jam i sigurt se ka justifikuar e rritur besimin dhe të institucioneve ndërkombëtare. Stafi i prokurorëve të drejtuar nga z. Altin Dumani vjen si pjesë e një rrugëtimi prej vitesh në sistemin e drejtësisë. Eksperienca e tyre së bashku me nivelin e lartë profesional është bërë një produkt i vërtetë besimi për shoqërinë shqiptare”, tha Shehu.
Sipas tij “Të gjithë kemi parasysh rezultatet e deritanishme të cilat kanë bërë që SPAK të kthehet në një adresë shprese për individët dhe institucionet në përgjithësi. Unë mendoj se një faktor që ka ndikuar shumë në këtë proçes është dhe pavarësia e kësaj strukture. Pavarësia është e panegociushme! Ju ftoj që të jemi të vëmendshëm për të evidentuar çdo tendencë për monitorim apo më keq të rritjes së kontrollit. Në këtë drejtim media shqiptare ka luajtur e po luan një rol tepër të rëndësishëm. Pavarësia e institucioneve është garanci për demokracinë dhe jetën e qytetarëve. Ju ftoj që të jeni aktivë për të vlerësuar e ruajtur në këtë nivel pavarësinë e këtij institucioni aset të shtetit shqiptar, duke qenë i sigurt se po i shërben dhe do ti shërbejë ruajtjes së garancive të çdo qytetari”.
Top Channel