Shkelja e barazisë në tendera, shkarkohet prefektja e qarkut të Fierit, Rajmonda Balilaj/ Vangjel Tavo emërohet prefekt i Vlorës

13/03/2024 18:17

Prefektja e qarkut të Fierit, Rajmonda Balilaj, është liruar nga detyra, me vendim të qeverisë.

Disa ditë më parë, me urdhër të SPAK, Gjykata e Posaçme e pezulloi nga detyra zyrtaren e pushtetit lokal për shkak se e dyshon se në dy raste ka shkelur barazinë në tendera.

I njëjti vendim i pezullimit nga detyra u dha edhe për ish-nënkryetaren e bashkisë Patos dhe për 5 specialistë të tjerë në cilësinë e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave, sekretariatit të përgjithshëm të kësaj bashkie, specialistë urbanistike dhe inxhinierë.

Janë dy procedura prokurimi që ngrenë dyshime për të hetuarit e SPAK për të cilët dyshohen se kanë falsifikuar dokumente dhe kanë shkelur barazinë në tendera.

Në rastin e parë bëhet fjalë për ndërtim emergjent e një muri mbartës për shkak të rrëshqitjes së tokës në aksin “Dukas -Breg”. Në rastin e dytë e njëjta skemë është përdorur edhe për rregullimin emergjentë të rrugës në fshatin Ruzhdie. Ish kryetarja e bashkisë në bashkëpunimin me anëtarët e KVO kanë favorizuar në kundërshtim me ligjin një operator ekonomik që nuk përmbushte kriteret. Në këtë rast ish-kryetarja ka paracaktuar fituesin e tenderit me fond limit rreth 6 milion lekë. Nga 2019 , ky Subjekt është shpallur fitues në 32 tendera. Për të arritur këtë qëllim grupet e punës përgatitën raport unanim ku shkruajnë se rrezikshmërinë që kishte sjellë shkarja e dheut dhe për rrjedhim ndërtimin e mureve mbajtës.

Në procedurën tjetër ish kryetarja e bashkisë dyshohet se paracaktoi fituesin duke informuar nisjen e punimeve në datën 6 shkurt 2021 në një kohë që shpallja e tij u realizua një javë më vonë.

Ndryshime ka edhe në Prefekturën e Vlorës, ku Flamur Mamaj është liruar nga detyra dhe në vend të tij është emëruar Vangjel Tavo.

Top Channel