Në një kohë kur gjyqi i Belerit është kthyer në një lojë diplomatike mes Athinës dhe Tiranës zyrtare dhe ku nuk kanë munguar presionet dhe kërcënimet nga shteti fqinj, pjesë e këtij skenari është bërë dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për një media greke, Meta e cilësoi arrestimin e Belerit si një rrëmbim dhe burgim politik. Edhe pse, nëse i referohemi fakteve të paraqitura nga Prokuroria e Vlorës dhe SPAK-u, Beleri u mor i pandehur pasi u kap duke blerë vota, për Ilir Metën, kjo gjë është e parafabrikuar.
Madje, Meta pajtohet me pretendimet e grekëve se drejtësia kontrollohet nga Rama.
“Nuk është Gjykata Speciale, është Gjykata e Ramës, është gjykatë politike. Beleri nuk u arrestua, ai u rrëmbye dhe të gjithë e dinë se gjithçka ishte e parafabrikuar. Kryeministri në një intervistë televizive, disa orë përpara se Policia ta rrëmbente Belerin, kryeministri pra e paralajmëroi Belerin se do merrej personalisht me të. Unë besoj se Beleri është kryetari legjitim i Bashkisë së Himarës, i zgjedhur nga njerëzit, i konfirmuar nga KQZ dhe sipas Kushtetutës sonë, asgjë nuk mund ta ndalojë që të bëjë betimin”.
Intervista e Ilir Metës, më së shumti duket se i bën jehonë qëndrimit të Greqisë, e cila ka kërcënuar hapur me vendosje të vetos ndaj Shqipërisë për çështjen e negociatave. Madje, duket se Meta po kërkon mbështetje për partinë e tij nga Athina pasi hapur po del në krah të Athinës zyrtare, ndërsa ishte një nga ata që kundërshtonte dhe akuzonte qeverinë për tradhti për çështjen e marrëveshjes së detit.
Top Channel