Çuçi pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve: Ishte një frymë e mirë për vazhdimin e një jete parlamentare normale

12/03/2024 14:08

Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Bledi Çuçi e konsideron pozitive mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku u arrit dakordësia për Komisionet Hetimore

Ai tha për mediat se u krijua një frymë e mirë gjatë mbledhjes për vazhdimin e një jete parlamentare normale.

“Rivendosëm dialogun dhe bashkëbisedimin ku e lamë, në konferencën e kryetarëve atë që kemi thënë, ngritjen e dy komisioneve, lamë një grup të përbashkët me përfaqësues të dy palëve për ta sjellë atë sipas kërkesave të bëra edhe nga ligji edhe nga ndryshimet e ligjit, padiskutim që mendoj që ishte një frymë e mirë për sa i përket rikthimit të një jete normale parlamentare. Do të shohim produktin për Reformën Zgjedhore, po punohet bashkë me OSBE ODIHR, do ta shohim produkte të komisionit. Ramë dakord në parim. Rikthimin për një jetë normale parlamentare. Kemi ngritur një komision ia kemi dhënë të gjithë kohën e nevojshme”, tha Çuçi.

Më parë gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, lidhur me kërkesën e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, Çuçi tha se kjo e drejtë kushtetuese nuk i është mohuar.

“Sa i takon ngritjes së komisioneve hetimore ky ka qenë një pseudo-konflikt. Kërkesa duhet bërë sipas ligjeve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kemi qenë të qartë për përshtatjen e objekteve të komisioneve hetimore. Nëse ne rregullojmë objektet e kërkesave për komisionet hetimore siç e kërkon ligji, ne jemi të hapur për të diskutuar, ka thënë Çuçi.

Më tej ai çmoi rolin e opozitës në Parlament duke përmendur edhe ligje që duan shumicë të cilësuar.

“Ka një sërë ligjesh që duhen miratuar me një shumicë të cilësuar siç është amnistia penale, por edhe ligje të tjera që lidhen edhe me rrugën e integrimit në BE e jo vetëm. Kështu që përfshirja e opozitës është e rëndësishme për të pasur një produkt të mirë në finale”, tha Çuçi.

Kujtojmë se mazhoranca vendosi të tërhiqet nga vendimet e datës 12 Tetor 2023 për rrëzimin e komisionit hetimor për kontratat koncesionare në shëndetësi dhe për komisionin hetimor për ndërhyjen e paligjshme në sistemin TIMS. Në Konferencën e Kryetarëve është rënë dakort që Opozita do të ushtrojë të drejtën për ngritjen e Komisioneve Hetimore, duke filluar në këtë sesion parlamentar me ngritjen e dy Komisioneve Hetimore që u rrëzuan më 12 Tetor 2023.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA