Vodhi çekun me vlerën 10 000 euro në biznesin ku punonte kasier/ Bie në pranga 23-vjeçari, në kërkim bashkëpunëtorët

11/03/2024 09:17

Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi vodhi një çek me vlerë 10 mijë euro.

Si rezultat i këtij operacionit policor të koduar “Çeku”, u arrestua shtetasi L. Sh., 23 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. L., 24 vjeç dhe A. L., 24 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 23-vjeçari  ka vjedhur duke shpërdoruar detyrën, në subjektin ku ishte punësuar si kasier, një çek me vlerën 10 000 euro, të cilin më pas ua ka dhënë dy shtetasve që janë shpallur në kërkim.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, për identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale, pas kallëzimit të depozituar nga pronari i një subjekti, se i kishin vjedhur një çek me vlerën 10 000 euro në subjektin e tij, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, menjëherë kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “Çeku”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, sipas policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel