Elia Zaharia ka thyer heshtjen, duke reaguar për herë të parë në rrjete sociale pas konflikteve me Princin Leka dhe publikimit të videos së dhunës.
Në Instagram ajo u shpreh mirënjohjen për të gjithë mbështetjen që iu dha gjatë këtyre ditëve, të cilat i konsideron tejet të shqetësuese, jo vetëm për të por edhe familjen.
“Miq dhe dashamirës, Ndjej dhe dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të thellë për mbështetjen dhe kurajon që më keni dhënë përgjatë këtyre ditëve kaq shqetësuese për mua dhe familjen time! U jam falenderuese të gjithë atyre që u ulën dhe më shkruan fjalë zemre, atyre që kuptuan dhe ndjenë dhimbjen time. Artistë të shquar e të nderuar të vendit tim, nga brezat që na kanë bërë e vazhdojnë të na bëjnë krenarë e që janë një pasuri kombëtare, deri te brezat e rinj të artit e kulturës në vend, u bashkuan në një peticion sensibilizues në mbështetje të një dinjiteti njerëzor! Ju jam përulësisht mirënjohëse, deri në lot!”, shkruan Elia Zaharia.
Pak ditë më parë Princ Leka dhe ish-bashkëshortja e tij, Elia Zaharia paditën njëri-tjetrin për dhunë. Situata u bë edhe më e madhe, kur u publikuan edhe pamjet e dhunës brenda pallatit.
Vetëm dy ditë pas përplasjes fizike (5 mars) mes Princ Lekës dhe Elia Zaharias, Gjykata Civile e Tiranës firmosi dy urdhërmbrojtje për secilin preh tyre, të cilët janë në proces divorci.
Sipas informacioneve, gjykata nuk ka pajisur me urdhër babin e Elias, Gjergj Zaharinë, i cili po ashtu u përfshi në këtë gnjarje. Çifti duhet të mbajnë distancë 5 metra, nga njëri-tjetri. Ndërkohë, Princ Leka duhet të takojë vajzën e vogël jo në prezencë të Elias por të dados.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas kallëzimit në polici për veprën penale “Dhunë në familje”. Gjithashtu, po kryhen hetimet për të zbuluar se kush e nxorri videon në media.
Top Channel