Rama mbledhje me kryebashkiakët! Në takim dhe të djathtët. Diskutimi për fondet, pagat, turizmin dhe pyjet

09/03/2024 19:38

Në Shkodër, në ambientet e stadiumit Loro Boriçi janë mbledhur anëtarët e qeverisë Rama, së bashku me kryeministrin dhe me të gjithë kryebashkiakët, përfshi edhe ata të bashkive të djathta.

Të zgjedhurit lokalë biseduan me qeverinë dhe kryeministrin për një sërë problematikash të cilat i ka shpjeguar kryeministri Rama.

“Pagat në administratë. Mbledhje me uniforme e taksës së pronës, në disa bashki ndodh me rezultat të mirë në disa bashki nuk ndodh fare. Performancë të mirë në tarifën e pastrimit, ka mirë dhe keq. Kemi diskutuar për një qasje të re ndaj një pasurie të madhe që janë pyjet, nivel i arsyeshëm mbrojtjeje na duhet që këtë pasuri ta vëmë në dispozicion të rritjes ekonomike të vendit. Duke nisur nga rritja ekonomike e bashkive. Kemi një plan për ti mbështetur bashkitë që kanë pasuri pyjore për ti mbështetur në marshtimin e pyjeve”, tha Rama.

Kryeministri Rama njoftoi ngritjen e një strukture të posaçme që do të ndihmojë bashkitë e vendit për të shkruar projektet në mënyrë që të përfitojnë fonde nga bashkimi europian.

“Diskutuam për çfarë sjell për bashkitë hyrja e Shqipërisë në këtë fazë të re të jetës që janë bisedimet për anëtarësim dhe instrumenti i ri i Bashkimit Eurpian që është plani i rritjes. Bashkitë kanë mundësi të reja për të aksesuar fonde në BE, strukturë përkatëse për të shkruar dhe aplikuar në projekte që sjellin të ardhurave për bashkitë.

Lehtësimin e procedurave të lejeve të ndërtimit në fshat, në mënyrë që njerëzit që ndërtojnë apo riparojnë shtëpitë të mos kenë të njëjtat procedura si qytetet.

Dhe patjetër dhe për një qasje të koordinuar me bashkitë për procesin e legalizime të mbetura, ka një numër të madh që për arsye jo dhe aq të pakuptueshme janë në bllokun e fundit të këtij procesi, duke angazhuar edhe bashkitë në këtë proces. Shikojmë që në agjencinë e kadastrës përmirësimet e ndjeshme nuk ecin paralelisht me përmirësimin që duhet të bëjmë në adresimin e realizimeve, na duhet ndihma e bashkive”, tha kryeministri.

Në takim është folur edhe për një program digjitalizimi edhe të punës se bashkive me një fond prej 50 milionë euro, ndërsa është diskutuar edhe për sezonin e ri turistik.

“Shifrat e dy muajve të parë janë përtej çdo parashikimi. Nëse trendi do vazhdojë kështu, numri 10 mln turistë i vitit të shkuar do të rritet në mënyrë të ndjeshme. Që do të thotë rritje shumë e ndjeshme të volumit të mbetjeve që duhen pastruar dhe trajtuar”, u shpreh kryeministri.

Qeveria dhe bashkitë do bashkëpunojnë për sezonin e ri turistik me kalendarin e aktiviteteve kulturore. Dhe në fund qeveria do ndihmojë bashkitë duke ju kaluar për nevojat e tyre objekte të ndryshme që kanë dalë jashtë funksioni si shkolla qendra shëndetësore apo reparte ushtarake. Në fund të takimit një nga kryebashkiakët e djathtë shprehu kënaqësinë që mori pjesë në këtë takim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA