Plagosi bashkëmoshatarin në Gjirokastër një ditë më parë/ Arrestohet 15-vjeçari, si është gjendja e adoleshentit

09/03/2024 12:28

15-vjeçari i cili plagosi bashkëmoshatarin një ditë më parë në lagjen “18 Shtatori” të Gjirokastrës shumë pranë shkollës 9-vjeçare “Koto Hoxhi” është arrestuar dhe po merret në pyetje në praninë e prindit, mbrojtësit ligjor dhe psikologut.

Ndërkaq, 15-vjeçari i dëmtuar është jashtë rrezikut për jetën, sipas policisë.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, se një 15-vjeçar kishte dëmtuar bashkëmoshatarin e tij, me mjet prerës, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan të miturin, autor të dyshuar të plagosjes. Veprimet procedurale me këtë shtetas vijojnë të kryhen në praninë e prindit, mbrojtësit ligjor dhe psikologut. Ndërkaq, 15-vjeçari i dëmtuar është jashtë rrezikut për jetën”, sipas policisë.

Të dy 15 vjeçarët  janë parë duke debatuar para këtij akti në prani edhe të një tjetër vajze të mitur 13 vjeçare. Fillimisht u mendua se 13 vjeçarja e kishte plagosur me thikë djalin nga Tepelena që jetonte në konvikt në Gjirokastër dhe ishte nxënës i shkollës së mesme.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 7:30 të mëngjesit pranë një njësie që shet fruta-perime. Gruaja që ishte duke sistemuar furnizimet ka dëgjuar fillimusht thirrjet e djalit të plagosur dhe më pas të qarën e vajzës 13 vjeç që kërkonte ndihmë për shokun e saj. I mituri u ndihmua nga kalimtarë të rastit pasi kishte gjakderdhje serioze nga plaga që ka marrë në pjesën e barkut.

Më tej po qytetarët kanë njoftuar policinë dhe ambulancën. Gjendja e 15 vjeçarit është e stabilizuar dhe goditja nuk i ka shkaktuar dëmtime të organeve vitale.

Besohet se konflikti mes të dy djemve kishte nisur më parë për shkak të vajzës 13 vjeç nxënëse e shkollës 9-vjeçare “Koto Hoxhi”, e cila ishte dëshmitare e ngjarjes.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Gjirokastër, familjet e të miturve të përfshirë si dhe bashkëmoshatarë të tjerë. Policia pyeti edhe nxënës të tjerë miq të të tre të miturve për të hedhur më shumë dritë mbi rrethanat.

Top Channel