Irlanda voton ‘jo’ në referendumin për ‘rolin e gruas dhe familjes’ të propozuar nga Varadkar

09/03/2024 19:01

Numërimet e hershme të referendumit të mbajtur sot në Irlandë mbi “ripërcaktimin e rolit të gruas dhe familjes” tregonin për refuzim të idesë, në një disfatë për qeverinë e kryeministrit Leo Varadkar.

Zyrtarët thonin se vota kishte si qëllim “të reflektojë ndryshimin e Irlandës si një anëtare e Bashkimit Evropian dhe zbutjes së influencës së kishes katolike”.

Leo Varadkar, kryeministri irlandez i qendrës së djathtë nga komuniteti LGBT, nxiste njerëzit të votonin “po” të dyja pyetjet, pasi sipas tij “të gjitha familjet janë të barabarta” dhe “të gjithë kujdestarët në familje duhet të njihen nga kushtetuta e vendit”.

Por aktivistët konservatorë për opsionin “Jo”, argumentonin se koncepti i “marrëdhënieve të qëndrueshme” që reklamohet, është i paqartë dhe mund të bëjë që gratë e nënat të “fshihen” nga kushtetuta si kujdestare të familjes, shkruan rrjeti AFP.

Të tjerë zëra tradicionalë thonin se ndryshimet mund t’i hapin rrugë ligjërimit të poligamisë madje të shtojnë emigracionin në Irlandë me anë të bashkimeve familjare, në pretendimet që u mohuan nga qeveria, shkruan rrjeti AFP.

Sot pasdite ministri i transportit Eamon Ryan pranonte se humbja në referendum do të njoftohej së shpejti.

“Jo, nuk arritëm ta bindim publikun për të thënë ‘po’,” tha Ryan.

“Qeveria duhet t’i rikthehet kësaj për të parë cilat ishin argumentet që merituan votën ‘jo’”, shtoi ai.

Në kryeqytetin Dublin Central, me më shumë se 30 përqind të votave të numëruara, 65 përqind kishin thënë “Jo” për ndryshimet, tha rrjeti vendas RTE.

FOTO GALERI
2/3
Por aktivistët konservatorë për opsionin "Jo", argumentonin se koncepti i "marrëdhënieve të qëndrueshme" që reklamohet, është i paqartë dhe mund të bëjë që gratë e nënat të "fshihen" nga kushtetuta si kujdestare të familjes

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA