Nëna e vetme fiton jetesën si taksiste ‘tre-rrotëshi’ në Indonezi (fotot)

08/03/2024 17:27

“Duhet të bëhem e fortë pasi po fitoj jetesën në rrugë, dhe nga rruga”, thotë Ekawati, e cila mundohet t’i shmanget përditë trafikut famëkeq në kryeqytetin indonezian Xhakarta.

Me vajzën tre-vjeçare pranë vetes, nëna e vetme punon taksi me mjetin e saj me tre rrota, duke tentuar të sigurojë mbijetesën, teksa një numër në rritje grash në Indonezinë konservatore, kërkojnë të punësohen jashtë shtëpisë.

Por Ekawati nuk është se ka mundësi të tjera zgjedhjeje. Pas vdekjes së bashkëshortit të parë dhe ndarjes nga i dyti, asaj i duhet të paguajë qeranë dhe të ushqejë katër fëmijët e saj, duke fituar rreth 150,000 rupi ($10) në ditë nga pasagjerët, në zonën e fabrikave tekstile pranë tregut Tanah Abang.

“Taksia me tre rrota është mjeti më i thjeshtë për të punuar. Kam provuar dhe punë të tjera por kjo më duket më e leverdisshme”, thotë 42 vjeçarja që prej gati 10 vjetësh merr mjetin me qera.

Djali i saj i madh, tashmë 20 vjeç, nuk shkon më në shkollë dhe punon si korrier, çka e ndihmon shumë familjen, por Ekawati thotë se përsëri ata jetojnë vetëm për të siguruar shpenzimet, si qiraja 800,000-rupia ($51.3) dhe ushqimi i familjes, pa pasur mundësi të kursejnë.

Sipas të dhënave vendase në 12.72 përqind të famijeve në Indonezi gratë fitojnë të ardhurat e jetesës.

Fëmija i dytë i Ekawati ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje, por arriti të dërgonte në shkollën fillore djalin e madh, me ndihmë nga qeveria lokale.

“Unë duhet të drejtoj tre-rrotëshin për të fituar bukën, për të ushqyer e strehuar fëmijët”, thotë gruaja e përlotur për rrjetin Al Jaseera. “Shpresoj që Zoti të më japë shëndet por shpresoj dhe që fëmijët e mi të kenë sukses, jo si unë”.

Teksa punon në një sektor të dominuar nga burrat, Ekawati thotë se duhet të bëhet e fortë me punën në rrugë, prej tentativave të zhvatjes apo ngacmimeve e provokimeve

“Një herë një pasagjer me kërkoi të shkoj me të në krevat për 500,000 rupi. I kërkova menjëherë të zbresë nga mjeti. Unë si grua nuk dua të jem e dobët, dua të jem e fortë pasi e fitoj jetesën nga rruga. Askush nuk më ndihmon përveç vetes”, shton ajo./Al Jaseera///

FOTO GALERI
2/9
Pas vdekjes së bashkëshortit të parë dhe ndarjes nga i dyti, asaj i duhet të paguajë qeranë dhe të ushqejë katër fëmijët e saj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA