Në imazhe shihen momentet e rënda kur një burrë i moshuar është detyruar nga turma të kërcejë mbi thëngjij të ndezur pasi u akuzua se ‘praktikonte magji.’
Në pamjet e tmerrshme të publikuara nga mediat indiane shihet burri rreth 75-vjeç që shtyhet drejt shtratit të zjarrit me qymyr teksa turma brohoret.
Nuk eshte e qarte arsyeja e sakte apo demi i kryer nga viktima, por incidenti raportohet se ndodhi më 4 mars kur grupi prej rreth 20 burrash kishin hyrë në shtëpinë e të akuzuarit dhe e kishin nxjerrë me forcë.
Fshatarët besonin se ai ishte përfshirë në magji dhe kërkonin të merrnin hak në formë brutale, duke e bërë të kërcente thuajse të zhveshur e këmbë-zbathur, shkruan e përditshmja britanike TheSun.
Ai shtyhej drejt zjarrit nga bashkëfshatarët që i thonin: “Bëje tani magjinë e zezë.”
Një turmë e madhe ishte mbledhur teksa burri i pashpresë u vendos të kryente torturën.
Ecja mbi zjarr lidhet me disa supersticione indiane dhe konsiderohet si një test durimi dhe purifikimi.
Pas disa minutash mbi zjarr burri humbi ndjenjat dhe u la i lirë nga turma. Të afërmit raportohet se e dërguan në spital.
Inspektori i policisë vendase Pramod Babar tha se përveç ecjes në zjarr ai ishte rrahur nga fshatarët.
Zyrtarët shtonin se kishin ndaluar disa persona të dyshuar për aktin e rëndë.
Të tjera raste të ngjashme janë regjistruar në Indi të dënimeve kapitale nga turmat për praktikim të magjisë në dëm të personave të tjerë.
Top Channel