Ish-presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernández, është shpallur fajtor për akuzat e trafikut të drogës në një gjykatë federale amerikane.
Hernández u dënua këtë të premte me burgim të përjetshëm, për komplot për të importuar kokainë në SHBA dhe për posedim të armatime, duke përfshirë mitralozë.
Prokurorët thanë se ish-presidenti drejtoi Hondurasin si një “narko-shtet”, duke mbrojtur dhe pranuar ryshfet nga trafikantët e drogës.
55-vjeçari ka mohuar çdo akuzë ndaj tij, por juria në një gjykatë federale të Manhatanit, pas rreth dy ditësh diskutime, e dënoi
Hernández ka qenë president i Hondurasit nga 2014 deri në 2022, duke shërbyer për dy mandate radhazi.
Ai fillimisht kandidoi si një kandidat për rendin dhe ligjin, i cili premtoi se do të trajtonte çështjen e krimit të lidhur me drogën në vend.
Në vend të kësaj, prokurorët e akuzuan atë për partneritet me “disa nga trafikantët më të frytshëm të narkotikëve në botë për të ndërtuar një perandori të korruptuar dhe brutalisht të dhunshme bazuar në trafikun e paligjshëm të tonëve kokainë në Shtetet e Bashkuara”.
Tre muaj pas largimit nga detyra, ai u ekstradua në Nju Jork dhe u arrestua në prill 2022 për t’u përballur me akuzat federale në SHBA.
BBC shkruan se Hernández dikur shihej si një aleat i fortë i SHBA-së. Gjatë udhëheqjes së tij të Hondurasit, vendi mori më shumë se 50 milion dollarë ndihmë kundër narkotikëve nga SHBA, si dhe miliona dollarë shtesë në siguri e ndihmë ushtarake.
Prokurorët më vonë zbuluan se 55-vjeçari ishte i lidhur me trafikantët e drogës që në vitin 2004, shumë kohë përpara se të bëhej president, dhe se ai kishte lehtësuar kontrabandën e rreth 500 tonë kokainë në SHBA.
Ata thanë se trafikantët e drogës i paguanin atij miliona dollarë ryshfet për të lejuar që kokaina të kontrabandohej nga Kolumbia dhe Venezuela përmes Hondurasit në SHBA.
Gjatë gjyqit të tij, disa trafikantë të dënuar droge dëshmuan se kishin korruptuar nga ish-presidenti.
Avokatët e tij argumentuan se ata që dëshmuan kundër tij po e bënin këtë për përfitimin e tyre.
Hernández është mbajtur në një burg në Bruklin që nga ekstradimi i tij, teksa sipas të dhënave ai nuk është i pari ish-kreu i shtetit të Amerikës Latine që dënohet për një krim të lidhur me drogën në SHBA.
Manuel Noriega i Panamasë u dënua për akuzat e trafikut të drogës në një gjykatë në Miami në vitin 1992, dhe Alfonso Portillo i Guatemalës u dënua për akuzat e pastrimit të parave në një gjykatë të Nju Jorkut në vitin 2014.
Top Channel