Gratë detyrohen të zbresin në minierat e Ukrainës teksa burrat janë dërguar në luftë (fotot)

08/03/2024 18:03

Megjithse Anya Karkachova është rritur në qendër të zonës industriale lindore të Ukrainës, të mbushur me miniera e fabrika me oxhakë, ajo nuk e kishte menduar se një ditë do të punonte dhe vetë nëntokë.

Por 31-vjeçarja është tashmë mes qindra grave që janë detyruar të marrin rolet e burrave të larguar në frontin e luftës, thuhet në reportazhin e rrjetit AFP.

“Sigurisht që është e vështirë, ajri nuk është si në mal”, thotë Karkachova nga 400 metra nëntokë në rajonin lindor të Dnipropetrovsk.

“Por ngaqë ka mungesë burrash dhe është kjo situata e luftës, duhet të ndihmojmë ne një njëfarë mënyre”, shton ajo.

Ukraina ka bërë ndryshime drastike në ligjet e punës që prej nisjes së konfliktit me Rusinë, duke lejuar gratë dhe në role që më parë kryheshin vetëm nga burrat.

Gratë gjithashtu i janë bashkuar ushtrisë, teksa Kievi përpiqet të ruajë ekonominë dhe ritmin e luftës.

Karkachova erdhi në Dnipropetrovsk nga rajoni lindor minerar Lugansk, tashmë i aneksuar nga Rusia, ndërsa ish-bashkëshorti është duke luftuar në front.

Ajo erdhi me fëmijët nga një territor industrial në një tjetër dhe thotë se nuk ndjehej krejt në vend të huaj.

Grupi minerar vendas DTEK, kërkonte që të mos publikohej vendndodhja e minierës ku punon Karkachova.

Drejtuesja e burimeve njerëzore të minierës Inna Kobozeva, tha për rrjetin AFP se nga një total prej 2,800 punonjësish, 600 ishin detyruar të shkonin në front, ndërsa 24 humbur jetën.

183 gra kanë nisur të punojnë nëntokë në impjant nga rreth 500 në të gjithë minierën.

Disa gra të intervistuara nga AFP shpresonin që burrat të ktheheshin nga fronti për të marrë përsëri punën e tyre.

“Erdhëm në punë për të ndihmuar burrat. Kur të kthehen … ata do të marrin vendet e tyre,” tha 36 vjeçarja Tetiana Tarasova, operatore makinerie në minierë, bashkëshorti i të cilës është në front në Donetsk.

33 vjeçarja Victoria, punon në transportin nëntokësor të minierës, ndërsa thotë se puna e grave është e rëndësishme për të ndihmuar në këtë moment krize, por shton se të punosh nëntokë është “një punë burri”.

“Ndoshta nuk do të kisha pranuar sikur të mos më detyronte situata”, thotë ajo. //AFP//

FOTO GALERI
2/5
31-vjeçarja është tashmë mes qindra grave që janë detyruar të marrin rolet e burrave të larguar në frontin e luftës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA