Policia aksion në Babicë të Vlorës, zbulohet arsenal armësh! Snajper, kallashnikovë dhe targa të vjedhura

07/03/2024 18:46

Një arsenal armësh është zbuluar ditën e sotme në Babicë të Vlorës.

Kreu i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Ermal Muçaj, në një konferencë për shtyp, dha detajet e operacionit që ka sekuestruar një bazë armësh, mes tyre snajper si dhe sende të tjera të përdorura nga grupet kriminale.

Në pranga ka rënë Luciano Deraj alias “Albano”, banues në Babicë të Madhe, Vlorë, nën hetim për kryerjen e dy veprave të rënda kriminale, disa kohë më parë, në Vlorë, i cili posedonte një arsenal armësh, municonesh luftarake dhe lëndë shpërthyese, për llogari të tij dhe të personave të tretë, anëtarë të një grupi kriminal në qytetin e Vlorës, të cilit i atribuohen disa ngjarje kriminale.

Në kuadër të këtij operacioni, i cili u zhvillua në orët e para të mëngjesit, në rrethinat e Vlorës dhe qytet, u sekuestruan

1. Një armë zjarri snajper e kalibrit 7.62 mm, e montuar në gjendje luftarake, me silenciator (zhurmëmbytës);

2. Pjesë përbërëse të armëve luftarake, për formimin e 2 armëve të tjera zjarri pushkë snajper;

3. Një armë zjarri pistoletë, e markës “Zastava” kalibri 10 mm, dhe 2 krehra me fishekë të po këtij kalibri;

4. Një armë pistoletë-stilolaps me ngjyrë bronxi dhe një sasi prej 40 fishekësh të kalibrit 5.6 mm;

5. Një armë e futur në këllëf, e kalibrit 12 mm, prodhim Rus;

6. Dy kuti plastike me material ndihmëse për mirëmbajtjen e armëve snajper;

7. Minë e përshtatur me celular dhe eksploziv plastik, si dhe shtatë kallëpe me lëndë eksplozive plastik të kapaciteteve 200 dhe 400 gr;

8. Katër silenciatorë me trup metalik me ngjyrë të zezë për armë të gjata;

9. Një dylbi optike termike me ngjyrë ushtarake, me gjatësi 41 cm me shikueshmëri natën;

10. Katër dylbi optike si ato që vendosen në armët e zjarrit për shënjestër në largësi;

11. Dy palë dylbi optike vëzhgimi;

12. Akesorë plotësues për shënjestra optike të armëve të zjarrit;

13. Një kuti plastike me ngjyrë të zezë, brenda së cilës gjenden 200 copë fishekë kalibri 9 mm.

14. Një sasi e madhe fishekësh të kalibrit 7.65 mm dhe 45 krehra automatiku fishekë të kalibrit 7.62, model 56 dhe një sasi e madhe fishekësh të po këtij kalibri;

15. Nje sasi e madhe fishekësh kalibri 12 mm;

16. Disa mijëra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, ndezësa granatash dore;

17. Disa celëularë që do t’i nënshtrohen ekspertizës;

18. Një radio marrëse-dhënëse, me mbishkrimin, me karikuesin e saj në valë të DVP Vlorë;

19. Një pajisje me antenë;

20. Njësi qëndrore kompjuteri dhe DVR;

21. Një numër i madh targash automjetesh dhe celësash të ndryshëm automjetesh;

22. Disa maska me ngjyre të zeze dhe maska silikoni me formën e kokes se njeriut;

23. Disa fenelina policie dhe veshje te ndryshme.

“Theksoj se Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Prokurorinë, gjatë operacioneve të koduar “Knock Out 4” dhe “Knock Out 5”, që u finalizuan gjatë muajit shkurt, sekuestroi një tjetër arsenal armësh zjarri: 1 minë me telekomand, 5 kallepe tritol, 7 kapsolla dentoatore, 4 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri imituese, 12 krehra armësh, rreth 800 fishekë, 1 jelek antiplumb, të cilat, bazuar në inteligjencë informative, dyshohet se do përdoreshin për ngjarje kriminale, për llogari të grupeve kriminale.

Përfitoj nga rasti të siguroj qytetarët e qarkut Vlorë, se strukturat e Policisë janë tërësisht të angazhuara dhe të përkushtuara për të parandaluar, evidentuar dhe goditur krimin dhe paligjshmëritë. Në këtë kuadër, ftoj përsëri qyetarët që të jenë akoma më bashkëpunues me Policinë, pasi vetëm së bashku mund të krijojmë një ambient sa më të sigurt për qytetarët dhe aspak të sigurtë për elementet kriminale”-tha kreu i policisë Vlorë.

Top Channel