Orkestra e harqeve të Korçës/ Dirigjenti: Duam rritje rroge dhe kontrata të reja

05/03/2024 15:52

Mosrinovimi i kontratës për një pjesë të instrumentistëve të Orkestrës së Harqeve të Korçës përfshirë edhe dirigjentin e saj, Kostika Tanto, ka bërë që ky i fundit të reagojë publikisht për lënien e tyre jashtë formacionit muzikor.  

Sipas tij artistët kanë kërkuar rritjen e pagesës në fund të vitit të kaluar duke refuzuar edhe përfshirjen në orkestrën simfonike deri në marrjen e një përgjigje ndërsa në fillimin e këtij viti kontratat e gjysmës së tyre nuk janë rinovuar.

“Orkestra ka 18 anëtarë, dhe 9 prej tyre janë jashtë. Këta të 9 janë me shkollë të lartë. Kemi kërkuar sqarime dhe nuk na janë dhënë, kërkuam listën e orkestrës së harqeve dhe nuk na i japin. Pagesa e parë është bërë. Pagesa jonë ka qenë 60 mijë lek, tani është bërë 68 mijë lek, pra është rritur 8 mijë lek të vjetra. Ne jemi të pakënaqur me shpërblimin, dhe i kërkuam bashkisë të shpërblehemi si “motrat” tona, Elbasani, Durrësi dhe Shkodra. Kjo gjë nuk është pranuar, atëherë ne filluam u larguam dhe këta duan formacion të ri për orkestrën simfonike. Kushtet e Korçës nuk besoj se e bëjnë një orkestër simfonike. Është si një ekip futbolli me 11 lojtarë, dhe të ngelen 6 lojtarë. Mungojnë instrumentet. Kontrata ka qenë që të gjithë duhet të bëjnë 8 prova në muaj për të marrë asistencën e pagës, Tirana do vijë 8 herë në muaj në Korçë për prova”, u shpreh Kostika Tanto, Dirigjent i Orkestrës së Harqeve.

Nga ana e saj Qendra e Artit dhe Kulturës në Korçë sqaron se këtë vit shënohet 100 vjetori i orkestrës Simfonike të Korçës dhe janë thirrur te gjitha forcat artistike për të ringritur këtë formacion që do të drejtohet nga dirigjenti Ilir Erzeni, por disa prej tyre nuk kane rene dakord me mundësitë financiare që janë të parashikuara, ç’ka ka bërë që të mos rinovohet kontrata për disa instrumentistë, ndërsa 44 të tjerë kanë nisur punën.

Top Channel