Kupa e Mbretit/ Bilbaoi për herë të 40-të në fiale, eliminon Atletico Madrid

01/03/2024 17:14

Athletic Bilbao kalon në finalen e Kupës së Mbretit. Baskët e drejtuar nga Ernesto Valverde triumfuan edhe në “San Mames” me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Atleticos së Madridit, pas suksesit minimal 1-0 në ndeshjen e parë dhe u kualifikuan në finale, ku do të diskutojnë trofeun me Mallorcën e Vedat Muriqit.

Vëllezërit Williams ishin protagonistë absolutë të ndeshjes, duke mbyllur llogaritë e ndeshjes me nga një gol e një asist secili. Simeone provoi të shkundë madrilenët, por pa rezultat, pasi Bilbao gjeti edhe golin e tretë me anë të Guruzetas dhe vulosi përfundimisht kualifikimin.

Baskët konfirmohen kështu një ndër skuadrat eksperte të Kupës së Mbretit, pasi finalja e Sevillas do të jetë e 40 për ta në histori, teksa në 39 të parat kanë fituar 23 herë dhe kanë humbur 16 të tjerat.

Misioni i radhës i Bilbaos është të ngrejë lart Kupën që mungon prej 1984-ës, pasi 6 finalet e fundit radhazi kanë dështuar. Nga ana tjetër Atletico e Simeones heq dorë nga një tjetër trofe sezonal, pas kampionatit, teksa ka mbetur në garë vetëm në Champions League, ku do t’i duhet të përmbysë humbjen 1-0 ndaj Interit për të vijuar më tej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA