Koncerti i motrave Shalari/ Interpretim emocionues në shfaqjen muziko teatrale “rrënjët” në Gjirokastër

01/03/2024 16:48

Muzikologja Blerina Shalari dhe e motra Alda Shalari kanë sjellë në skenën e teatrit të Gjirokastrës një performancë muzikore ndryshe.

Koncerti muziko-teatral “Rrënjët” me të ftuar special aktorin Dritan Boriçi ishte një performacë e rrallë muzikore dhe njëherazi teatrale.

Motrat Shalari që luajnë në piano ndërsa i përkasin komunitetit të artistëve aftësi të kufizuara në shikim janë rikthyer në qytetin e tyre të lindjes pas më shumë se dy dekadash.

“Emocionet ishin të fuqishme se bëhet fjalë për një koncert që ne e japim në qytetin tonë. Jemi midis njerëzve të qytetit. Jam shumë e lumtur që mundëm të jepnim këtë mesazh arti në qytetin tonë”, tha Blerina Shalari-artiste.

“Shumëfushohen emocionet kur vjen në qytetin e origjinës e për më tepër kur vjen në një mënyrë ndryshe, një koncert muziko-teatral dhe kjo besoj është diçka ndryshe edhe për ata që na ndoqën, sepse është një shfaqje komplekse”, u shpre Alda Shalari-artiste.

Koncerti solli emocione të këngëve të lehta shqiptare intepretuar nga vetë artistet dhe më pas pjesë nga “Homeriada” kompozuar nga Blerina Shalari dhe interpretuar nga Dritan Boriçi. Aktori tha se u ndje mjaft mirë në skenën e teatrit të Gjirokastrës dhe se arti ka fuqi ta prekë çdo audiencë.

“Më pëlqeu shumë mënyra sesi reagonte  spektatori, sigurisht që Blerina  është një artiste e cila  aplikon një art  të niveleve të larta  dhe që kuptohet kaq mirë nga  spektatori. Këtu tek ju në Gjirokastër duhet ardhur më shumë në këtë  skenë duhet të vijnë shumë artistë nga Tirana  të vijnë sepse vërtet është një spektator që e meriton”, deklaroi Dritan Boriçi-artist.

Kompozimi tashmë i njohur dhe i interpretuar në shumë skena i dedikohet jetës. Megjithëse në qendër të veprës është vetë Homeri si rrëfimtar frymëzimi nuk lë jashtë folklorin dhe isopolifoninë shqiptare.

Blerina e ka kompozuar pjesën përshkuar nga fryma homerike për të thyer tabutë e lidhura me njerëzit që kanë disa kufizime fizike. Homeriada përçon mesazhin emancipues se arti ju përket të gjithëve.

Top Channel