Autori i cili grabiti para mbrëmjen e djeshme në një market në Qerret të Kavajës është vënë në pranga. 

Bëhet fjalë për 25-vjeçarin Everest Shala, i cili nën kërcënimin e armës ka vjedhur një shumë parash në një market me ushqime, rreth orës 18:40.

“Menjëherë pas njoftimit për vjedhjen me armë, të një shume parash, rreth orës 18:40, të datës 29.02.2024, në një market me ushqime, në Qerret, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë kryer veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për të identifikuar autorin e rastit. Si rezultat i këtyre veprimeve, këqyrjes së kamerave dhe punës së inteligjencës policore, brenda 12 orëve, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar i rastit, Everest Shala, 25 vjeç, banues në Qerret”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel