“Mendova se ishin fishekzjarre…”/ Ekzekutoi 40-vjeçarin, babai i autorit jetonte me familjen e viktimës prej vitesh! Zbardhet pista kryesore e hetimeve

29/02/2024 10:24

Vrasja e ndodhur në lagjen nr. 18, në Korçë, ka tronditur banorët e zonës, të cilët të shqetësuar kanë rrëfyer për Top Channel momentet e para të krimit.

Ilo Lulla qëlloi me armë zjarri katër herë drejt Emiljano Pine, i cili humbi jetën rrugës për në spital, ndërsa më pas qëlloi veten.

Dëgjova krisma mbrëmë. I thashë gruas mos janë fishekzjarre dhe nuk dola në moment. Kur dola për të mbyllur derën pashë çfarë kishte ndodhur. Nuk njihja asnjërin prej tyre”- tha një banor i zonës.

Jashtë kamerave, fqinjët e Emiljano Pines kanë treguar se familja jetonte me qera. Ndërkohë që babai i autorit të ngjarjes bashkëjetonte me familjen e Emiljanos prej 4 vitesh. Nëna e Emiljanos kujdesej për shkak të pamundësive të tij fizike dhe moshës. Sipas banorëve, babai i Emiljanos kishte 1 vit që kishte ndërruar jetë dhe ata e vazhdonin bashkëjetesën.

Sipas burimeve nga policia, bëhet me dije se pista kryesore e hetimeve mbetet trashëgimia e një apartamenti në pronësi të babait të autorit të ngjarjes, i cili donte tja linte si trashëgimi djalit të kujdestares. Ilo Lluka ishte emigrant, jetonte në Greqi dhe pasi ka marrë vesh vendimin e të atit për shtëpinë, është kthyer nga shteti grek dhe mbrëmjen e djeshme vrau Emiljanon e më pas veten. 61 vjeçari Lluka njihet si përdorues i pijeve alkoolike ndërsa ekspertiza mjeko ligjore ende nuk e ka konfirmuar nëse ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin kur kreu krimin.

Top Channel