Një britanik që erdhi në kufirin e Polonisë sepse donte kalonte në Rusi tek e dashura që kishte njohur online, raportohet se është ndaluar nga rojet kufitare.
Oficerët polakë njoftuan se një 37-vjeçar britanik “shumë këmbëngulës” kishte ardhur në pikën kufitare me automjetin e tij BMW – pa një vizë apo dokumente udhëtimi – dhe kërkonte ta lejonin të hynte në Rusi.
Burri tha se duhet të kalonte pikën kufitare të Grzechotki për të takuar të dashurën e tij të re, që ishte në Shën Petersburg, rreth 1000 km larg.
Kur rojet refuzuan ta lejonin kishte tentuar të kalonte kufirin në këmbë nga zona pyjore siç shihet dhe në pamje, prandaj u ndalua nga ushtarët.
Më tej ai justifikohej se sistemi i navigimit i ishte prishur.
Në një deklaratë rojet kufitare polake thonin: “Oficerët në stacionin kufitar të Grzechotki ndaluan një britanik që erdhi në rrugën kufitare”.
“Ai donte të shkonte në Rusi me qëllim të takonte një vajzë që kishte njohur në internet. Burri nuk kishte vizë për në Rusi dhe as dokumentacion të plotë të automjetit”.
“Ai pretendonte të shkonte në Shën Petersburg për të vizituar të fejuarën e tij, me të cilën ishte njohur në internet”.
Disa orë pasi ishte paraqitur në kufi, ai me mjetin e tij BMW shkoi në zonën e kufirit të gjelbër Rusi-Poloni.
Zyrtarët shtonin: “Rreth orës 5.30 të mëngjesit kamerat zbuluan burrin që iu afrua kufirit në zonën pyjore. Pasi u u ndalua nga oficerët britaniku pretendonte se kishte përfunduar aty pasi “i ishte prishur sistemi satelitor i navigimit në makinë”.
Burri i paemëruar publikisht u gjobit 120 euro dhe u lirua, por kishte pohuar me rojet se tashmë “do të tentonte të hynte në Rusi nga Lituania.”
Kufijtë janë përforcuar në këtë kohë rreth Rusisë e Ukrainës prej konfliktit brutal dhe sanksioneve të Perëndimit. Gjithashtu si rusët e ukrainasit përpiqen t’i shpëtojnë rekrutimit në ushtri dhe largohen në vende të tjera si Gjeorgia e Polonia.
Top Channel