“Trupat e NATO-s mund të hyjnë në Ukrainë”, shokon Macron: Moska duhet mposhtur!

27/02/2024 07:12

Avancimet e fundit të Rusisë në Ukrainë kanë mbjellë shqetësim në perëndim, megjithatë deklarata e presidentit francez Emmanuel Macron se në këtë situatë, nuk përjashtohet dërgimi i trupave të NATO-s në vendin e gjendur prej dy vjetësh përballë një agresioni brutal, shkaktoi tronditje e debate të mëdha.

Duke folur përpara liderëve europianë të mbledhur për të diskutuar cështjen e Ukrainës, Macron paraqiti një tablo të zymtë me argumentet se Rusia po forcon pozitat në fushën e betejës, ndërsa gjendja edhe brenda kufijve nuk paraqitet aq problematike sa mendohej pas vendosjes së sanksioneve ndërkombëtare. “Ne jemi të bindur, tha shefi i Elizesë, se mposhtja e Moskës është e domosdoshme për siogurinë dhe stabilitetin në Europë.

“Nuk është se ka një consensus tani që ne flasim për të nisur trupa tokësore në Ukrainë në mënyrë zyrtare. Por në raport me dinamikën e situatës, asgjë nuk duhet të përjashtohet. Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për tu siguruar që Rusia të mos e fitojë këtë luftë“- tha Makron.

Ai refuzoi të hynë në detaje të mëtejshme lidhur me pozicionin e Francës, por e pranoi se kjo çështje është përmendur mes disa opsioneve të mundshme. Edhe kryeministri sllovak Robert Fico citohet të ketë thënë se disa anëtarë te BE-së dhe NATO-s janë duke e diskutuar një mundësi të tillë. “Shumë njerëz që thonë kurrë sot, janë të njëjtët njerëz që thonin “kurrë tanke, kurrë avionë e kurrë raketa me rreze të gjatë veprimi dy vjet më parë, tha Macron. Le të tregohemi të përulur e të shënojmë se ne shpesh kemi qenë gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj me vonesë, shtoi ai. Vete presidenti ukrainas Volodymir Zelensky, që iu drejtua samitit përmes një video lidhjeje i bëri thirrje udhëheqësve evropianë që të sigurohen që presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk mund të shkatërrojë arritjet tona dhe të mos mund të zgjerojë agresionin e tij në shtete të tjera”.

Top Channel