E PLOTË/ Pse u vra Pëllumb Meta? Shkuesi përjashton fejesën pa dëshirë të Hygertës si shkak të vrasjes: Na tha se vajza do vazhdonte shkollën

25/02/2024 19:50

Ende mister motivi i vërtetë i vrasjes së Pëllumb Metës në Shënavlash të Durrësit, ndërsa bashkëshortja e tij në hetim dhe 3 fëmijët e arrestuar i qëndrojnë fort motivit të dhunës në familje dhe vendimit për të fejuar pa dëshirë vajzën 19-vjeçare.

Po vendimi për ta fejuar pa dëshirë është hedhur poshtë nga familja që kishte shfaqur interes për këtë krushqi. Madje, sipas saj, edhe Blerina, nëna e vajzës, ashtu si babai i vrarë, kanë  mbajtur të njëjtin qëndrim në lidhje me mundësinë e një fejese.

Ashtu si në dëshminë e dhënë në polici, edhe në një komunikim jashtë kamerave për gazetaren e Top Channel, Vali Qyrfyçi, familja që kishte menduar për një lidhje krushqie me familjen e viktimës hedh poshtë pretendimin se Pëllumbi do e fejonte vajzën pa dëshirë.

“Ai e kishte dritën e syve. Bënte gjithçka për të. I donte fëmijët e tij, familjen. Çdo ditë e dërgonte me makinën e vet vajzën deri në Durrës që të merrte autobusin e të shkonte në Tiranë se ishte studente e gjuhëve të huaja.  Duke e njohur e krijuar respekt për të, se vinte çdo ditë tek lokali, rreth 4 muaj më parë, i thashë për kunatin tim që jeton në Itali, por më tha që vajza kishte filluar shkollën për gjuhët e huaja në Tiranë dhe s’bëhej ajo punë. Nuk e mendonin fejesën. Megjithatë nuk ma preu shkurt, po më tha: ‘Këto janë punë grash. Shko e fol njëherë me gruan.’ Shkova dhe më priti shumë mirë, më qerasi, por dhe ajo më tha të njëjtën gjë dhe u mbyll ajo punë. Kaq qe”, shprehet Xheni, që ndërhyri me dëshirën e mirë për të njohur e fejuar Hygertën me vëllain e burrit të saj.

“Ai po të kishte vendosur ta fejonte pa dëshirë e kishte bërë dhe i thoshte do të fejohesh dhe mos shko në shkollë, por jo. Ne as nuk e dinim këtë gjë deri në momentin kur erdhi policia e pyeti. Ishte gjë e mbyllur. I kishte shkuar ndërmend nuses për djalin tjetër që kam në Itali. Ndaj ky si shkak për ta vrarë nuk ekziston, po dhe ai për dhunë nuk më bind. Ai i nxirrte shpesh për dreka, darka jashtë, në lokale, fëmijët dhe gruan. I merrte me makinë. Para ca kohësh ishte i gëzuar se e bija i kishte dhënë makinës së tij nga Kruja deri në shtëpi dhe po mendonte t’i blinte një makinë që të shkonte e vinte nga shkolla. Madje dhe e kishte porositur te pronari i makinave ku punonte. Kështu më pat thënë”, shton vjehrri i saj.

Edhe i shoqi O. Q. hedh poshtë motivin e deklaruar nga vajza e familjes Meta dhe i përforcuar më tej nga deklarimet e nënës dhe vëllezërve të saj se shkak i vrasjes ishte vendimi për ta fejuar pa dëshirë, dhuna e diktati i babait për të vendosur mbi fatet e fëmijëve të tij. Diskutimi për këtë fejesë ishte bërë dhe mbyllur që në vjeshtë, kur prindërit e Hygertës nuk kishin pranuar.

“U habita kur policia që erdhi për të marrë pamjet e kamerave të sigurisë më pyeti nëse e kishim kërkuar vajzën për kunatin. Kujtova se më pyeti për vëllain e gruas, jo për timin. Im vëlla ka një vit pa ardhur dhe kur vjen punon gjithë kohën. I sqaruam dhe çdo gjë është e qartë. Nuk kemi ç’të themi më për këtë. Shohim punën, hesapin tonë dhe as vajzën nuk e njohim, ajo lëvizte me makinë gjithnjë”, tha bashkëshorti i Xhenit.

Për herë të fundit, në Shënavlash e kanë parë të shtunën e 10 shkurtit, ditën e vrasjes. Në lokalin ku ndalonte gjithnjë për të pirë një gotë raki dhe kafe.

“Ishte në lokal. Piu një kafe e raki dhe u largua rreth orës 13:05. Tha se atë të shtune nuk do të punonte. Do e bënte pushim dhe iku në shtëpi me makinë. Tha se ndjehej ca i lodhur dhe se mund të kthehej pasdite, por nuk ndodhi.”

Ashtu si në polici dhe në komunikim të drejtpërdrejtë me ta, motivi kryesor i dhënë si shkak për krimin rrëzohet.

Në Shënavlash Blerinën, gruan e viktimës e njohin si grua me shkollë që deri vonë ka bërë në shtëpi kurse të gjuhës së huaj, anglisht, për fëmijët.

“Nëse do të ishte grua e dhunuar siç thotë zor se do e linte burri të fuste njeri në shtëpi. Nuk di ç’mund të ketë ndodhur por e rëndë shumë është. E sa për t’i bërtit fëmijëve e bëjmë të gjithë. Këta krutanët ndoshta pak më shumë se mbahen për fanatikë dhe autoritarë, por jo të vrasësh babën. Ai për ata thoshte se jetonte e punonte. Pëllumbi më dukej liberal me djemtë. Të voglin e kishte punëtor, punonte në servis, ndërsa të madhin e çoi njëherë me 13 mijë euro në Angli. Shpenzoi për të, por nuk i eci dhe u kthye. Pastaj shkoi në Itali dhe tani u kthye për të vrarë babën. S’di ç’të them”, thotë një tjetër bashkëfshatar i viktimës.

Hija e rëndë e krimit rëndon mbi Shënavlash, fshatin që konsiderohet pjesë e qytetit të Durrësit për shkak të afërsisë me të.

Njerëzit hezitojnë të flasin publikisht. I druhen mikrofonit dhe ndjejnë një lloj pasigurie që s’dinë ta shpjegojnë, ndonëse krimi ndodhi brenda familjes.

Top Channel