Vëllezërit e Hygertës bashkëpunëtorë në vrasjen e të atit? Zbardhen detajet e reja, konfliktet në familje arritën kulmin kur…

23/02/2024 15:33

Dyshohet se në vrasjen e 49-vjeçarit Pëllumb Meta janë bashkëpunëtorë dhe dy djemtë e tij, vëllezërit e Hygertës, të dyshuarës kryesore deri më tani.

Burimet thonë se Hysen Meta 25 dhe Amarildo Meya 21 vjeç po merren në pyetje në polici.

Deri tani konfirmohet se konfliktet në shtëpi kulmuan pasi kryfamiljari i ka kërkuar të bijës të japë fjalën për t’u fejuar me shkuesi me një shtetas shqiptar që është emigrant në Itali.

Paraprakisht dyshohet se dy vëllezërit pas krimit e ndihmuan motrën për ta dërguar makinën e për ta lënë tek Currilat dhe për të fshehur më pas trupin e të atit.

Kujtojmë se Hygerta Meta dyshohet se vrau të atin Pëllumb Meta me katër plumba dhe më pas e groposi në kasollen e bagëtive.

19-vjeçarja Hygerta Meta, studente e Fakultetit Ekonomik në Tiranë ndërmori aktin e rëndë, pasi viktima donte ta fejonte pa dëshirën e saj.

Janë ende të paqarta detajet se si ka ndodhur dinamika e ngjarjes dhe nëse ajo është ndihmuar nga nëna dhe vëllezërit e saj, të cilët janë vënë nën hetim dhe po merren në pyetje në polici.

Policët janë ende në kërkim të armës, të cilën nuk dihet ende se ku e ka hedhur e reja.

Dyshohet se viktima ishte një person autoritar dhe i rreptë në familje, edhe pse fqinjët e përshkruajnë të qetë dhe pozitiv.

Djali i madh i familjes e kishte denoncuar të zhdukur viktimën dhe pas 10 ditësh hetime policia gjeti trupin të gropozur.

Në datën 17 shkurt është bërë e mundur gjetja e automjetit të 50-vjeçarit, të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.

Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje, ndërsa trupi i tij është zhvarrosur dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore.

 

 

 

Top Channel