Foto/ U vra nga vajza dhe trupi iu gjet i groposur pas 10 ditësh, ja vendi ku punonte roje 50-vjeçari Pëllumb Meta

23/02/2024 11:47

Pëllumb Meta, 50-vjeçari që u vra nga vajza në Shënvlash të Durrësit punonte roje në një zonë ku shiteshin makina.

Dyshohet se 19-vjeçarja Hygerta Meta, studente e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë ka ekzekutuar me pistoletë të atin dhe më pas e ka varrosur në kasollen e bagëtive, pasi ai donte ta fejonte pa dëshirën e saj.

Sipas informacioneve, besohet se ajo nuk veproi e vetme, por u ndihmua nga familjarët e tjerë, nëna dhe dy vëllezërit, ndërsa janë ende të paqarta detajet se si ka ndodhur dinamika e ngjarjes që tronditi vendin këtë të premte.

Policët janë ende në kërkim të armës, të cilën nuk dihet ende se ku e ka hedhur e reja. Dyshohet se viktima ishte një person autoritar dhe i rreptë në familje, edhe pse fqinjët e përshkruajnë të qetë dhe pozitiv.

Pas 10 ditësh hetime është gjetur trupi i pajetë i 50-vjeçarit Pëllumb Meta, ndërsa është  arrestuar 19-vjeçarja

Më datë 13 shkurt rreth orës 22:30, njëri prej djemve, 25 vjeç ka denoncuar në polici se babi i tij është larguar nga banesa dhe kanë humbur kontaktet me të. Në datën 17 shkurt është bërë e mundur gjetja e automjetit të 50-vjeçarit, të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.

Nga hetimet, u zbulua se Pëllumb Meta nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesën e tij. Vajza e tij 19-vjeçare Hygerta Meta, ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur.

Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Trupi i tij është zhvarrosur dhe është transortuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

 

 

Top Channel