Shqiptari Ylber Dajci është burgosur në Angli, pasi ktheu ish-qendrën e punës në shtëpi kanabisi, me vlerë 1.9 milion stërlina.

42-vjeçari u kap duke u kujdesur për një plantacion kanabisi në zyrat e papërdorura mbi Qendrën e Punës Gloucester gjatë verës së kaluar.

Ai u dënua këtë të enjte me 25 muaj burg, pra dy vite e një muaj heqje lirie, teksa pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.

Gjykata e Gloucester Croën dëgjoi se policia u informua për erën që vinte nga katet e sipërme të ndërtesës së ish-magazinës, teksa stafi ishte alarmuar për këtë gjë. Njëkohësisht ata konstatuan rrjedhje uji nga kati i sipërm.

Prokurori Simon Goodman tha se oficerët shkuan për të hetuar më 18 gusht 2023. Ai shtoi se nuk u arrit asnjë hyrje me atë rast, por tre ditë më vonë kur stafi i Qendrës së Punës vuri re një burrë që hynte në ndërtesë nga porti i ngarkimit, policia u kontaktua përsëri.

“Këtë herë oficerët detyruan të hynin në ndërtesë dhe zbuluan në katet e sipërme se 16 dhoma ishin krijuar për të kultivuar 2373 bimë kanabisi, të cilat ishin në faza të ndryshme zhvillimi. Policia gjeti gjithashtu një shqiptar 42-vjeçar, Ylber Dajci, i fshehur në mesin e plantacionit, i cili vlerësohej se kishte mundur të prodhonte nga 66 deri në 199 kilogramë drogë të klasës B. Vlera e mundshme ishte 1.9 milionë funte nëse shitej në marrëveshjet në rrugë”, tha Goodman.

Dajci, pa adresë fikse, pranoi në polici se po ‘punësohej me fitim’ si kopshtar në prodhimin e kanabisit, por kishte pak përfshirje në pjesën tjetër të operacionit.

Këtë e bëri jehonë edhe eksperti i policisë së drogës, i cili arriti në përfundimin se Dajci ishte vetë në gjendje të keqe dhe pranoi se ai ishte kopshtar, pra thjesht përgjegjës për kujdesin e përditshëm të bimëve.

Eksperti supozoi se në këto rrethana Dajci kishte gjasa të ishte paguar shumë pak për shërbimet e tij. Gjykata u tha se matësi elektrik në katet e sipërme të ndërtesës ishte anashkaluar dhe se brenda ndërtesës ishin kryer edhe punime të gjera elektrike.

Avokatja e 42-vjeçarit, Catherine Spedding, tha se ai kishte ardhur ilegalisht në Britaninë e Madhe nga Shqipëria rreth 18 muaj para se të arrestohej.

“Si pjesë e kësaj ai kishte grumbulluar një borxh për trafikim. Ndërsa synonte plotësisht të punonte legalisht, mungesa dokumentet që kishte në dispozicion e penguan atë të punonte në mënyrë legjitime dhe ai ra përsëri në duart e trafikantëve në vend dhe u detyrua të bëhej kopshtar për të shlyer borxhin e tij. Dajci është familjar dhe i vjen keq për përfshirjen e tij në këtë sipërmarrje kriminale pasi besonte plotësisht se po vinte në këtë vend për të punuar legalisht, por realiteti ishte shumë ndryshe”, tha ajo.

Gjyqtari, Recorder James Bromige tha se nuk kishte asnjë provë që Dajci kishte pasur probleme me policinë në këtë vend apo Shqipëri përpara kësaj vepre.

“Kjo, për shkak të numrit të bimëve të kanabisit që kultivoheshin dhe pajisjeve që përdoreshin në 16 dhoma në katet e sipërme të lira, ishte një operacion industrial”, tha ai.

Gjykatësi urdhëroi gjithashtu konfiskimin dhe asgjësimin e të gjitha drogave dhe mjeteve.

 

Top Channel