Detaje nga arrestimi i anëtarit të bandës së Gaxhait/ Shtoi shpejtësinë kur policia tentoi ta ndalonte! Automjeti mbante targat e…

22/02/2024 11:15

Ish-anëtari i bandës së Gaxhait, Armando Sulejmani i cili njihet me nofkën Çipuri është arrestuar në zonën e Spitallës, ku i është kërkuar të ndalonte automjetin me të cilin udhëtonte.

Ai nuk ka dëgjuar urdhrin e policëve dhe ka shtuar shpejtësinë. Autoritetet i janë vënë nga pas dhe bënë të mundur ndalimin e tij. U zbulua se automjeti tip “Mercedes Benz” që ai udhëtonte mbante targa të vjedhura nga një “Land Rover”, i vjedhur më datë 3 nëntor 2023, në Tiranë.

Armando Sulejmani 48 vjeç nga Vlora është dënuar edhe më parë për vrasje.

Gjithashtu, u shpall në kërkim 26-vjeçari L. Z. nga Tirana, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhjen e automjetit tip “Land Rover”.

Automjeti tip “Mercedes Benz”, targat e tij dhe targat e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me një kaçavidë dhe 3 celularë.

Sulejmani është konsideruar nga policia si person me rrezikshmëri të lartë dhe dyshohet se po përgatitej të përfshihej në ngjarje kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel