“Çunave të Londrës” u vihen nën hetim pasuritë, vjen në Tiranë drejtori i Agjencisë kundër Krimit të Britanisë së Madhe

22/02/2024 12:47

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ka nënshkruar sot një  Memorandum Mirëkuptimi me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare kundër Krimit (NCA), Graeme Biggar të Mbretërisë së Bashkuar.

Burime për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu  thanë se pjesë e memorandumit është hetimi i pasurive dhe lufta kundër krimit të organizuar.

Sipas SPAK, Ky memorandum shënon një tjetër hap të rëndësishëm të Prokurorisë së Posaçme drejt forcimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar brenda dhe jashtë vendit.

Qëllimi kryesor i këtij memorandumi është të institucionalizojë partneritetin e suksesshëm tashmë të vendosur midis SPAK dhe NCA, në përpjekjen e përbashkët për të luftuar krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë publik. Ky bashkëpunim thellohet dhe bëhet më i qëndrueshëm përmes këtij memorandumi, i cili do të ndihmojë në përshpejtimin e shkëmbimit të informacionit dhe përvojave më të mira në fushën e drejtësisë penale.

Ky memorandum parashikon një angazhim të vazhdueshëm të dy palëve për të forcuar bashkëpunimin midis tyre por dhe për të lehtësuar marrëdhëniet me agjencitë e tjera ligjzbatuese në rritjen e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Përfaqësuesit e të dy institucioneve shprehën besimin e tyre të thellë, se bashkëpunimi i ngushtë midis tyre do të sjellë rezultate konkrete në goditjen e disa prej veprimtarive më të rëndësishme të grupeve kriminale shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shqipëri, kryesisht në trafikun e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, trafikimin e armëve të zjarrit dhe pastrimin e parave.

Forcimi i marrëdhënieve të SPAK me NCA në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe stabilitetin e shtetit ligjor në Shqipëri, Mbretërinë e Bashkuar dhe në të gjithë Bashkimi Evropian.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel