Të krijuara si mjete komunikimi e argëtimi, sot rrjetet sociale po përdoren si mjete shantazhimi.
Për shkak të gjuhës së urrejtës, kërcënimeve e denigrimit, me të cilat përballen në platformat online, vajza e gra, i kanë dhënë fund jetës.
“Fatkeqësisht në Shqipëri po ndodh që shumica e rrjeteve sociale po përdoren si mekanizma në duar te njerëzve që duan të shantazhojnë për të arritur qëllimet e tyre dhe kemi parë pedofil për të rekrutuar fëmijët, kemi parë shantazhe financiare dhe me gjithë këto problematika që po ndodhin fatkeqësisht dhe me humbje jete, po krijohet një ambient toksik digjital. Të gjitha agjencitë duhet të bëjnë një monitorim përsa i takon mënyrës dhe çdo lloj materiali i cili ngarkohet në mediat sociale”-shprehet Mirgit Vataj, kryetar i urdhrit të punonjësve social.
Fëmijët, adoleshentët, vajzat e gratë janë ato që janë më të pambrojturit nga shantazhimi online. Nevojiten ndryshime ligjore, në mënyrë që dhunuesit apo abuzuesit që ndodhen pas kërcënimeve, të ndëshkohen.
“Shqipëria ka një problem shumë të madh sa i takon hendekut ligjor për çështjet e mbrojtjes që i sigurohet të gjithë përdoruesve në ambientin digjital. Duhet të bëhen me patjetër ndryshime ligjore duke filluar që nga mënyra e përdorimit për fyerjet dhe shantazhet e denigirimin. Shpeshherë kanë ndodhur raste që personat që kanë shantazhuar vajzat dhe gratë ja kanë hedhur pa asnjë problem në aspektin ligjor”.
Rrjetet sociale janë lehtësisht të aksesueshme nga çdo moshë. Ndaj është kritike në këtë situatë me të cilën po përballet shoqëria jonë, që fëmijëve tu mësohet se si të qëndrojnë të sigurt gjatë përdorimit të platformave online.
“Duhet që të futen në kurrikulat e shkollës, në kapituj të caktuar, për të edukuar nxënësit për të përdorur sot mjedisin digjital, si të qëndrojmë shëndetshëm në mjedisin digjital në hapësirën tonë kibernetike”.
Për të pasur sa më pak viktima të ekspozuar ndaj kërcënimeve, shantazheve, e fyerjeve online duhet që të ketë një kontroll të postimeve që bëhen në gjuhen shqip, në mënyrë që të bllokohen materialet e dhunshme që shpërndahen lehtësisht në rrjetet sociale.
Top Channel