Kanë dalë sërish para Gjykatës së Elbasanit në seancën e radhës 4 adoleshentët të cilët akuzohen për vrasjen e bashkëmoshatarit të tyre Fatjon Bici, ngjarje e ndodhur në qytetin e Gramshit në Maj të vitit 2023.
Pas tensioneve të shumta dhe një situatë të rënduar mes familjarëve në sallë, seanca u shty për shkak shkak se nuk u plotësua trupi gjykues prej 3 gjyqtarësh.
Po ashtu avokatët mbrojtës të familjarëve të viktimës kanë kërkuar refuzimin e gjykimit të shkurtuar, i kërkuar më herët nga mbrojtja e të akuzuarve.
Pritet që trupi i ri gjykues për këtë çështje të rimarrë në shqyrtim kërkesën për gjykim të shkurtuar ose jo.
Në rastin e një gjykimi të shkurtuar 4 adoleshentët të cilët akuzohen për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim” rrezikojnë dënimin deri në 8 vite burg, ndërsa në një gjykim normal ata nuk do të mund të dënohen më shumë se 12 vite burg, sic parashikon Kodi i Drejtësisë Penale për të mitur.
Ngjarja e Gramshit tronditi opinionin publik kur një 15 vjeçar u vra me thikë teksa tentoi të shuajë një grindje, e nisur më herët në rrjete sociale mes kushëririt të tij dhe disa bashkëmoshatarëve.
Top Channel