Imunitet nga ndjekja penale: Trumpi kërkon “ndihmën” e Gjykatës së Lartë!

13/02/2024 11:47

Gjithmonë e më parën nominimit republikan për presidencialet 2024, e i bindur edhe për shanset e një rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, ish-presidenti amerikan Donald Trump i përballur me disa procese gjyqësore, po synon të arrijë imunitetin nga ndjekja penale.

E duket, se për këtë ka varur shpresa tek Gjykata e Lartë e SHBA-së, të cilës i kërkoi shqyrtimin e këtij pretendimi të tij, të hedhur poshtë nga gjykatat më të ulëta.

Argument i Trumpit është se ai gëzon një imunitet të tillë nga ndjekja penale e lidhur me përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, duke qenë se në atë kohë, ishte ende ishte president.

Trumpi i kërkoi anëtarëve të Gjykatës Supreme të pezullojnë vendimin e një Gjykate Apeli në Uashington, e cila e hodhi poshtë kërkesën e tij për imunitet.

Një datë gjyqi që ishte caktuar për më 4 mars në gjykatën federale të Uashingtonit për katër akuza penale nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith ndaj tij Trump u shty dhe ende nuk është caktuar një datë e re.

Avokatët e zotit Trump paraqitën një apel urgjent në gjykatë të hënën, vetëm katër ditë pasi anëtarët e saj dëgjuan argumentat për të përcaktuar nëse ish-presidenti Donald Trump duhet të përjashtohet nga fletët e votimit në në zgjedhjet paraprake për shkak të rolit të tij në sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit.

Vendimi i Gjykatës së Lartë për këtë çështje dhe sa shpejt do të veprojë, mund të përcaktojë nëse kandidati kryesor presidencial republikan do të dalë në gjyq për këtë çështje përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Top Channel