Pesë banka ndanë 80% të fitimit/ Ekspertët: Është ulur konkurrenca, nuk investohet mjaftueshëm në inovacion

13/02/2024 19:44

Nga fitimi rekord prej 280 milionë eurosh që bankat realizuan vitin e kaluar, gati 80% e të gjithë fitimit u nda mes pesë prej tyre.

Në krye qëndron BKT me 64 milionë euro fitime, ndjekur nga Raiffeisen Bank me rreth 63 milion euro, ndërsa në vendin e tretë është OTP Bank me 32 milion euro. Pesëshen e parë e plotësojnë Intensa Sanpaolo Bank dhe ABI Bank respektivisht me 30 dhe 25 milion euro fitime. Në renditje vendin e gjashtë e zë Tirana Bank, ndjekur nga Credins dhe më pas Union Bank dhe Fibank. Bankat me fitimin më të ulët të realizuar janë UBA dhe ProCredit Bank.

Largimi i disa bankave nga tregu ka bërë që fitimet gjithnjë e më shumë të përqendrohen te bankat më të mëdha, e kjo sipas ekspertëve mund të sjellë zhvillime të këqija për klientët.

Numri i bankave ka qenë 16 dhe tani është bërë 11. Vetë kjo tendencë rënëse do të thotë që po bëhet një treg akoma dhe më i ngushtë dhe kushtet të cilat vendosen nga këta operatorë mund të jenë më në disfavor të klientëve që përdorin këto shërbime dhe më në favor të sektorit bankar”-shprehet eksperti i ekonomisë, Edison Zaçaj.

Ligji i ri për Shërbimet e Pagesave miratuar në 2021-in caktonte janarin e 2024-ës si afatin e fundit për të vënë në zbatim “bankingun e hapur”, që në vetvete synon që klientët të kenë mundësi ndërveprimi me çdo bankë pa kosto shtesë pavarësisht se ku e kanë llogarinë, por kjo nuk ndodhi. Sipas ekspertëve, bankat tregtare nuk investojnë mjaftueshëm në inovacion

“Pse njerëzit duhet të harxhojnë kohën e tyre duke shkuar nëpër banka në mënyrë që të mbajnë radhën dhe të kryejnë shërbimet e tyre, ku lehtësisht nëse do të kishte facilitete në inovacione teknologjike dhe sistemet do të ishin më të sigurta dhe më të shpejta për t’i kryer, do t’i bënin nga shtëpia e tyre. Edhe siguria është një element, i cili ndikon shumë dhe ka krijuar një stepje më pas te klientët të cilët nuk i përdorin shumë format e transaksioneve nëpërmjet e-banking dhe mobile banking dhe duan më tepër të kenë kontaktin fizik me punonjësit e bankës.”

Banka e Shqipërisë vërejti se gjatë vitit të kaluar bankat tregtare shtrënguan kriteret për dhënien e kredive ndaj individëve dhe bizneseve, ndërsa edhe numri i refuzimeve të kërkesave u rrit gjithashtu. Kjo sipas ekspertëve bën kontrast me rritjen e fitimeve

“Bankat po arrijnë që të fitojnë shumë më shumë duke rritur kriteret dhe duke pasur sa më pak dëme në humbjen e kredive në këtë mënyrë ato ndikojnë shumë më tepër në uljen e kreditimit të ekonomisë.”

Top Channel