Pas dy vitesh ndarje, grupi parlamentar demokrat u mblodh në selinë qendrore të PD nën kryesimin e Gazmend Bardhit, i cili njoftoi bashkimin përmes një deklarate për shtyp.
Bardhi vuri theksin tek procesi i bashkimit, si rruga e vetme për një mendje racionale, duke lënë pas të shkuarën e hidhur të PD-së.
Ai tha se sot demokratët bëhen bashkë për të dalë në terren, për tu kthyer nesër në forcë udhëheqëse në qeveri. Ai nënvizoi disa linja ku duhet të ecë PD, duke nënvizuar orientimin pro-amerikan dhe pro europian dhe rrugëtimin që duhet të bëjnë bashkë demokratët.
“Para 34 vitesh shpresën e një vendi të terrorizuar, të izoluar e të varfër përtej mjerimit e ktheu lindja e Partisë Demokratike, si shprehja më sublime e një populli që kërkonte liri dhe demokraci.
Këto dy vitet e fundit, ne hymë në një rrugë që solli mosbesim, konflikt, përçarje mes demokratëve. Zgjatja e asaj situate vuri në pikëpyetje vetë ekzistencën e partisë. Kjo situatë mes nesh, e paprecedentë në llojin e vet, po ndodhte ndërsa Shqipëria humbte çdo ditë nga një tullë në themelet e brishta të demokracisë dhe pluralizmit.
Vendi nuk e kishte dhe nuk e ka luksin të humbasë edhe opozitën, prandaj prej më shumë se 1 viti sëbashku me shumë kolegë brenda grupit parlamentar kemi bërë përpjekje të sinqerta, ndonjëherë edhe me kosto personale, për t’u rikthyer demokratëve shpresën tek partia e vet, tek Partia Demokratike.
Shumë do të donin që gjërat të mos kishin shkuar keq mes ne demokratëve, shumë të tjerë do të donin që bashkimi të kishte ndodhur më shpejt. Megjithatë, jam i bindur se sot, kur grupi parlamentar kthehet i bashkuar në shtëpinë e vet, kjo është një ditë e mirë për demokratët, për opozitën, për Shqipërinë!
Të dashur qytetarë shqiptarë!
Të dashur demokratë!
Ne jemi sot shume më mirë se 1 vit më parë, por akoma nuk jemi në lartësinë e pritshmërive të shqiptarëve ndaj nesh. Ne vërtetë sot nuk luftojmë per ekzistencë si 1 apo 2 vite më parë, por sërish përballemi me një diversioni antidemokratik, i cili akoma është shumë i strukturuar dhe i shumëllojtë. Kam bindjen dhe besimin absolut se ne do t’ia dalim të kapërcejmë pengesat që na vendosin përpara, duke punuar së bashku ketu në seli, në grupin parlamentar dhe në çdo lagje e familje shqiptare.
Bashkimi është forcë dhe jo dobësi. Bashkimi është rruga e vetme për një mëndje racionale. Partia Demokratike me aktin e bashkimit, pas një udhëtimi në errësirë, i kthen dritën vetes dhe duhet ti kthejë shpresën shqiptarëve. Me këtë motiv, ne do të jemi në çdo cep të Shqipërisë për t’i dhënë shpresë të rinjve, burrave dhe grave që duan të ndërtojnë këtu një të ardhme për vete dhe për familjet e tyre.
Jo më përçarje! Jo më konflikt! Ne do të punojmë së bashku për të shndërruar opozitën e sotme në qeverisjen e neserme. Mbi këtë parim duhet të ndërtohet cdo marrëdhënie dhe duhet të jetë i mirëpritur cilido. Të flasim mbi ide, mbi parime, jo mbi individë.
Prania jonë sot këtu do të thotë mirëkuptim, respekt për mendimin ndryshe. Ne jemi të bashkuar në diversitet, duke ruajtur secili qendrimet tona, sepse ne kemi më shumë gjëra që na bashkojnë sesa nga ato që na kanë ndarë deri dje.
Një parti e fortë do duhet ti përfshijë të gjithë flukset brenda vetes dhe ne kemi nevojë për këtë më shumë se kurrë! Partia Demokratike ka nevojë për hapje reale, ka nevojë të korrigjojë veten, ka nevojë të njësohet me shumicën e shoqërisë shqiptare. Ajo ka nevojë ti përgjigjet nevojës që kanë qytetarët dhe të jetë zëri i asaj që shoqëria pret.
Partia Demokratike është partia më properëndimore se çdo forcë tjetër politike më vend. Ne besojmë tek aleatët tanë strategjik. Ne besojmë gjithashtu, se Shqipërisë i duhet një drejtësi e pavarur, pa ndërhyrje politike, por ne duhet të theksojmë me forcë se ne nuk jemi në luftë me drejtësinë! Do ta mbështesim dhe nxisim atë pa komplekse që të zbatojë ligjin, por edhe do të themi të vërtetën para shqiptarëve sa herë që do të konstatojmë se peshorja e drejtësisë disbalancohet nga ndërhyrjet politike.
Lufta jonë e vërtetë është lufta pa kompromis dhe pa u lodhur për të larguar Edi Ramën nga pushteti. Një model qeverisës i zhytur në korrupsion dhe krim. Në duhet ti japim vendit një qeveri dinjitoze, në shërbim të qytetarëve.
Sot demokratët po na shohin dhe po na japin kurajo. Nga sot, ne do jemi me ta dhe me çdo shqiptar që kërko ndryshim. Do të shkojmë qytet më qytet, fshat më fshat, rrugicë më rrugicë, shtëpi më shtëpi. Do t’i takojmë të gjithë, do t’i ftojmë që ata të bashkohen, ta bëjmë Partinë Demokratike të madhe sërish, një alternativë moderne qeverisëse“-deklaroi Bardhi.
Top Channel