Prokuroria e Posaçme kërkon rikthimin në burg të Jamarbër Malltezit, caktohet data e rekursit në Gjykatën e Lartë

09/02/2024 12:05

Rekursi i Prokurorisë së Posaçme e cila kërkon rikthimin në burg të Jamarbër Malltezit do të mbahet më 5 mars në orën 12.30.

Rekursi i SPAK për Malltezin do të shqyrtohet nga Sokol Binaj, Sandër Simoni dhe Ilir Panda.

Në rekursin e dorëzuar Gjykatës së Lartë, dy prokurorët e çështjes u shprehën se ai kreu korrupsion duke bashkëpunuar me funksionarin më të lartë të kohës.

“Konkretisht me ish-kryeministrin Sali Berisha”, theksuan dy prokurorët, sipas të cilëve ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova se janë cenuar themelet e shoqërisë në strukturat më të larta.

Prokurorët theksuan se mbajnë parasysh në këtë rekurs edhe vlerën e lartë të parave që dyshohet se u pastruan, kohështrirjen e aktivitetit kriminal dhe që sipas tyre i çon në konkluzionin se Gjykata e Apelit nuk e respektoi ligjin kur zbuti masën nga arrest me burg, në arrest shtëpie.

Dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai që po hetojnë dosjen Partizani, i thanë Gjykatës së Lartë se Shqipëria vuan ende nga nivelet e larta të korrupsionit, në shumë fusha dhe po sipas tyre është kjo arsyeja se përse qeveria shqiptare e ka vendosur këtë luftë në listën e përparësive më të rëndësishme të politikës së saj.

Kujtojmë se Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për Malltezin. Nga ana tjetër ai dorëzoi rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës “arrest shtëpie”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA