I bindur në fitoren e tij në garën brenda kampit republikan për nominimin e partisë së vet në presidencialet e këtij viti, Donald Trumpi nuk pranoi të dilte në debate televizive me rivalët e tjerë të brendshëm.

Por kur vjen fjala tek përballja me Joe Biden, i cili gjithashtu me shumë gjasë do të jetë kandidati demokrat në betejën për Shtëpinë e Bardhë, ish presidenti republikan ka një qasje krejt tjetër. Trumpi deklaronte së fundi se ishte i gatshëm të përballej menjeherë në një debat me Biden. “Do të doja të debatoja me të tani, sepse duhet të përballemi në debat. Duhet të debatojmë për të mirën e vendit,” deklaroi ai në një emision në radiofonik drejtuar nga analisti konservator Dan Bongino. Bideni u pyet për një gjë të tillë gjatë një vizite në Las Vegas, por preferoi të jepte një përgjigje evazive. “Po të isha në vend të tij, edhe do të doja debat. Ai nuk ka gjë tjetër për të bërë”.

Pavarësisht se kryeson qartazi garën mes republikanëve për të sfiduar Biden në zgjedhjet e 5 nëntorit, Trump nuk e ka siguruar ende emërimin e partisë së tij, ndërsa refuzon ftesën e rivales më të afërt Nikki Haley për debat. Fushata e kësaj të fundit e interpreton refuzimin e Trumpit për përballje televizive me të si “frikë nga përballja me ish guvernatoren e Karolinës së Jugut.

“Tani është koha që Trump të gjejë guximin dhe të pranojë të debatojë me Nikki Haley-n. Nikki është e gatshme të paraqesë arritjet e saj dhe vizionin për një Amerikë të fortë dhe krenare kundër fushatës së të kaosit dhe hakmarrjes së ish-presidentit”, tha zëdhënësja e fushatës së saj, Olivia Perez-Cubas. Haley ish-ambasadore në OKB gjatë administratës së vetë Trumpit, është zotuar ta sfidojë atë në vazhdimësinë, edhe pse është shumë prapa tij në sondazhet e opinionit publik.

Top Channel