Me lëvizjen e fundit, administrata Biden shfaqi një qëndrim befasues me pohimin se presidenti amerikan do t’i vendosë veton një propozimi për ndihmë për Izraelin, por jo për Ukrainën.
Projektligji i veçantë i mbështetur nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve parashikon ndihma për shtetin hebre të përfshirë prej disa muajsh në një konflikt të ashpër më Hamasin në Gaza, e se fundi, edhe me milicitë e mbështetura nga Irani në rajon. Legjislacioni më i gjerë në vetvete ofron ndihma si për Izraelin, ashtu edhe për Ukrainën e garanton fonde të reja për sigurinë kufitare. Demokratët duan ndërkohë të vendosnin kushtet e tyre.
“Administrata inkurajon me forcë të dyja dhomat e Kongresit që ta refuzojnë këtë manovër politike dhe të dërgojnë me shpejtësi për nënshkrim Ligjin për Buxhetin Shtesë për Emergjenca të Sigurisë Kombëtare”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Menaxhimin dhe Buxhetin. Zyrtarët e administratës së presidentit demokrat po punojnë prej muajsh me ligjvënësit e të dy krahëve në Senat për paketën e bërë publike të dielën, e cila, ashtu siç insistonin prej disa kohësh republikanët, i lidh ndihmat urgjente prej miliarda dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe partnerët e SHBA-së në rajonin Indo-Paqësor, me ndryshime të politikës së emigracionit.
Ndërkohë para disa ditësh, krerët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve qenë shprehur se do ta refuzonin projektligjin dypartiak të Senatit dhe në vend të tij, do të votonin për një projektligj që ofron ndihmë vetëm për Izraelin. Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane miratoi një projekt-ligj vetëm për Izraelin në nëntor, por ai nuk u miratua në Senatin e udhëhequr nga Demokratët, pasi anëtarët e tij po punonin mbi kërkesën e Biden që Kongresi të miratonte paketën më të gjerë të sigurisë.
Top Channel