Valltarja Lili Cingu u nda nga jeta, Rama: La zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare

05/02/2024 20:15

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të valltares së njohur të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Liljana Cingu.

Rama shkruan se ndarja nga jeta e Lili Cingut, lë zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare

Lamtumirë! Ikja e Lili Cingut lë zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare. U prehtë në paqe“-shkruan Rama.

Për ndarjen nga jeta ka reaguar edhe presidenti Bajram Begaj dhe kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla.

Artistja Liljana Cingu “Nderi i Kombit” do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si ikona e valles shqipe”-shkruan Begaj.

Lamtumirë, Lili Cingu, princesha e valleve shqiptare! Vallet e Jugut, Çamërisë, Korçës, Kolonjës, Shqipërisë së Mesme, vallet epike të Veriut, vallet e Dropullit dhe krahinave të tjera të Shqipërisë i bëre më të lehta dhe u dhe plot bukuri e hijeshi me kërcimin tënd!”-shprehet Nikolla.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përmes një postimi në rrjetet sociale shpreh ngushëllimet e përzemërta për familjarët e valltares.

“Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të mbretëreshës së valleve shqiptare, Lili Cingu. Ngushëllime të ndjera familjes!”, shkruan Veliaj në Facebook.

Artistja e mirënjohur ishte një nga valltaret shqiptare më të mira shqiptare, e nderuar me disa tituj për karrierën e saj artistike, si “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i madh”. “Lili”, sikurse e thërrisnin të njohurit Liljana Cingun, ishte një nga valltaret shqiptare që krijoi një personalitet tipik të sajin jo vetëm në skenë, por edhe jashtë saj. Vitet e saj, të fshehura me hijeshi pas veshjeve elegante, tregojnë për një femër që i mbijetoi kohës falë pasionit për vallet e bukura shqiptare.

Top Channel