Në mesin e përplasjeve dramatike që kanë sjellë një tërmet të vërtetë brenda partisë Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në mediat vendase njoftohet për gjetjen e një plumbi mëngjesin e sotëm në oborrin e shtëpisë së kryetarit të saj, Arben Taravari, çka bëri që në vendngjarje të zbarkojnë dhe forcat e policisë për hetimet e rastit.

Episodi vjen pak deklaratës së papritur të Taravarit se Aleanca për Shqiptarët, që prej shkurtit 2023 në koalicion qeverisës me LSDM dhe BDI, ka vendosur t’i bashkohet opozitës shqiptare në zgjedhjet e 8 majit. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Taravari i bëri thirrje organeve më të larta partiake që ta mbështesin atë në “këtë rrugëtim drejt procesit për ndryshimin e madh dhe të shumëpritur.

Por njeriu që e themeloi këtë parti vite më parë, Kryetar i Kuvendit Qendror të partisë, Ziadin Sela, e kundërshton kategorikisht një gjë të tillë. As ai vetë, e as struktura të tjera të partisë nuk janë njoftuar paraprakisht, ndërsa e konsideron të papranueshëm koalicionin me partitë opozitare, që përfshin dhe VMRO-DPMNE. Sela e quajti pabesi lëvizjen e Taravarit.

“I kam kërkuar dhe i kam thënë të njoftojë Kryesinë duke e sqaruar se në mënyrë që të marrim vendimin, duhet të mbledhim Kuvendin Qendror pas një jave. M`u përgjigj, po, do e thërras këto ditë, dhe me pabesinë më të madhe, fatkeqësisht, dhe për zhgënjimin tim më të madh, na u paraqit me status në Facebook. Kryetar rrjetesh sociale nuk i duhet ASH-së”, u shpreh Ziadin Sela.

Sela shtoi se nuk do të lejohet realizimi i paralajmërimeve të Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE, parti politike kjo opozitare e konfirmuar me ideologji antishqiptare, i cili kishte pretenduar disa kohë më  ndarjen e ASH-së në prag të zgjedhjeve të 8 majit. Vendimi i papritur i Taravarit erdhi pak ditë pas një takimi të përbashkët në Prishtinë të thirrur nga kryeministri Albin Kurti me drejtuesit e partive të opozitës shqiptare (Lëvizja Evropiane për Ndryshim – LEN) nga Maqedonia e Veriut.

Drejtuesit e partive Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratitke që përbëjnë koalicionin LEN, i kishin ofruar atij të kandidonte për garën presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit (raundi i dytë), por kreu i ASH-së i tha medias se nuk ishte i interesuar. Një pjesë e analistëve vlerësojnë se ndasitë brenda Aleancës për Shqiptarët për një çështje të rëndësishme, siç janë zgjedhjet e pritshme, mund ta dëmtojnë seriozisht këtë parti.

Top Channel