Hotelet do paguajnë paradhënie! Kreu i shoqatës së turizmit: Nuk ndihmon formalizimin e tregut

04/02/2024 12:12

Qeveria do të vendosë çdo muaj një nivel minimal për shfrytëzimin e dhomave nga hotelet.

Në këtë mënyrë hotelet do të detyrohen të paguajnë paradhënie “taksën” e re, pavarësisht numrit të vizitorëve që mund të kenë.

Shoqatat shprehen se ky vendim vetëm do të rrisë presionin dhe nuk do të ndihmojë në formalizimin e tregut

“Ne nuk kemi ndonjë informacion të saktë, nuk ka akoma një konsultim me grupet e interesit për të përcaktuar një vendim të ri për këtë lloj forme pasi pothuajse nuk ekziston në asnjë praktikë botërore. Me formalizimin e tregut, me sistemin e fiskalizimit të gjithë gjërat janë online pra ti mund ta kontrollosh një subjekt në cdo moment kohe. Detyrimi për të paguar taksat paradhënie nuk besojë që janë reale”, u shpreh Zak Topuzi, Kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.

Në ligjin e ri për turizmin të depozituar në Kuvend, qeveria synon edhe kategorizimin e strukturave të tjera akomoduese përveç hoteleve. Nëpërmjet formalizimit ata do të përfitojnë nga lehtësitë fiskale.

“Ndryshimi ligjor presupozon formalizimin e tregut të apartamenteve, vilave që jepen për arsye turizmi, kategorizimin e tyre për sektorin e turizmit për të përfituar tvsh-në 6% dhe në rast se subjektet nuk marrin një nipt ata do të kalojnë në sistemin e gjobave pra do të rritet kontrolli”, tha Topuzi.

Qeveria po vijon komunikimin intensiv me dy platformat AirBnb dhe Booking për t’i kërkuar subjekteve NIPT-in që operojnë si biznes. Apartamentet apo vilat që jepen me qira nga individët tashmë do të jenë pjesë e skemës së taksimit nga qeveria, ndërsa janë parashikuar gjoba të rënda për ata që nuk deklarohen.

Top Channel