Shpërthim në ministrinë e Punës në Athinë! Grupi terrorist i ekstremit të majtë vendos bombën artizanale, telefonatë anonime medies

03/02/2024 07:12

Një telefonatë anonime e kryer rreth orës 00.49 pas mesnate në një televizion dhe një gazetë të Athinës paralajmëronte se një mekanizëm shpërthyes do të hidhte në erë Ministrinë e Punës në kryeqendrën greke.

Personi i panjohur tha se telefononte në emër të organizatës revolucionare “Vetëmbrojtja e klasës revolucionare”. Policia është vendosur menjëherë në lëvizje, duke bërë rrethimin e zonës dhe ndalimin e qarkullimit në rrugën “Stadhiu” të kryeqytetit helen.

Shpërthimi ndodhi në orën 01.29, sipas orës lokale, pikërisht në numrin 29 të rrugës “Stadhiu”. Sipas Policisë greke, shpërthimi ka dëmtuar kangjellën e rrethimit dhe janë thyer disa xhama në perimetrin e ndërtesës, por pa dëme serioze në këtë ministri.

Ekspertët ligjor po hetojnë në lidhje me përbërjen e bombës si dhe kanë nisur kërkimet për gjetjen e autorëve. Organizata “Vetëmbrojtja e klasës revolucionare” për të cilën Policia thotë se është një grupim terrorist i ekstremit të majtë, është hera e parë që shfaqet në Greqi.

Autoritetet dyshojnë për një rinisje të aktivitetit të ekstremistëve të majtë marksistë, të cilët kanë vendosur dhjetëra bomba artizanale dhe mekanizma shpërthyes gjatë 10-15 viteve të kaluara.

Në vazhdim autoritet helene mundën të neutralizojnë disa prej tyre, duke dërguar në burg për 10-20 vjet anëtarët e këtyre grupimeve të arrestuar gjatë luftës disa vjeçare të shtetit grek kundër grupimeve arksiste të ekstremit të majtë.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA