Maklena Nika proteston përmes letërsisë! “Rozë antraciti”, një roman për revolucionet që ndodhin në heshtje
Është nënshkruar sot mes Ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe homologes së Kosovës, Arbërie Nagavci, vendimi i përbashkët për unifikimin e teksteve të mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë.
Ky vendim mes dy ministrive siguron që teksti i nivelit të dytë “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” të jetë i disponueshëm për fëmijët shqiptarë që mësojnë gjuhën shqipe në shkollat e diasporës.
“Sot ne kemi pasur një kurorëzim të një pune të gjatë nga ekspertë dhe studiues të dy vendeve, të Shqipërisë dhe Kosovës në lidhje me tekstin e përbashkët “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” për nivelin II, për grupmoshat e klasës së 4-6, i cili me vitin e ri shkollor në 2024- 2025 do të jetë në duar të fëmijëve, që janë në vende të ndryshme në mërgatë. Ne gjithashtu nisim konkursin për tekstin e nivelit të III, një punë që duam ta finalizojmë gjithashtu brenda këtij viti, duke përmbyllur kështu të gjitha ciklet e teksteve të përbashkëta”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, së Kosovës, Arbërie Nagavci duke falenderuar Ministren Manastirliu, vuri theksin te bashkëpunimi i mirë mes dy ministrive, rezultat i së cilës është dhe teksti i përbashkët “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”.
“Finalizojmë suksesshëm një punë të gjatë, jo të lehtë, që përfundoi me një produkt shumë të rëndësishëm dhe i vlefshëm për të gjithë fëmijët tanë në mërgatë”, – tha Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, të Kosovës Arbërie Nagavci.
Në vitin që Shqipëria e ka shpallur si Vitin e Gjuhës Shqipe, bashkëpunimi mes dy vendeve merr një rëndësi edhe më të veçantë. Aktivitetet e përbashkëta të zhvilluara, që përfshijnë seminare, konferenca dhe publikime të përbashkëta, dëshmojnë për konkretizimin e këtij bashkëpunimi.
Risia është organizimi për herë të parë i Olimpiadës së Gjuhës Shqipe mes Shqipërisë dhe Kosovës, e cila synon të promovojë dhe të rrisë përdorimin e gjuhës shqipe dhe të forcojë lidhjet kulturore mes dy vendeve, shënon një hap të rëndësishëm përpara në bashkëpunimin arsimor dhe kulturor rajonal.
“Bashkëpunimi midis dy Ministrive tona është shumë i ngushtë dhe në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe kemi vendosur të vijojmë menjëherë me krijimin e grupit të punës së përbashkët sa i përket Olimpiadës së Gjuhës Shqipe”, – deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu.
Top Channel