Hungaria heq bllokadën, miratohen 50 miliardë euro ndihma për Ukrainën

01/02/2024 14:44

Ndihma e re prej 50 miliardë eurosh e BE-së për Ukrainën e mori dritën jeshile, pas heqjes së bllokadës që po i bënte kësaj nisme kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Të 26 krerët e vendeve të BE kishin rënë dakord në samitin e posaçëm të BE për ndihma të tjera për vendin e gjendur prej gati dy vitesh nën agresionin brutal të Rusisë, dhe pritej vetëm OK-i i Orbanit për lëvizjen që pretendohet të shpëtojë Ukrainën nga kolapsi ekonomik.

Në dhjetor, kreu i ekzekutivit hungarez e kishte penguar me veton e tij një vendim të samitit të BE për ndihmat e Ukrainës. Në Bruksel dihej se Orbani po e përdortë më shumë ndihmën për Kievin si mjet presioni, me qëllimin të arrinte të merrte paratë e bllokuara nga BE për Hungarinë.

Dhe duket se deri diku, strategjia e tij funksionoi pasi vetëm një ditë para samitit të fundit, Komisioni Europian dha dritën jeshile për 10 miliardat për Hungarinë, fonde që ishin bllokuar për shkak të problemeve me shtetin ligjor në këtë vend. Orbani megjithatë përsëri nuk u kënaq plotësisht dhe e vazhdoi bllokadën. Ai është i vetmi lider i bllokut europian që ende ka raporte të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin dhe ka shprehur kundërshtime ndaj sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, e madje ka hedhur idenë e mbajtjes së bisedimeve të paqes mes Moskës dhe Kievit.

Arritja e marrëveshjes tani u përshëndet nga presidenti ukrainas, VOlodymir Zelensky, i cili tha se “është shumë e rëndësishme që vendimi u mor nga të gjithë 27 udhëheqësit e BE-së, që edhe një herë dëshmon unitetin e fortë të Bashkimit Europian”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA