Ligji për turizmin është dorëzuar në Kuvend ndërsa këshilli i ministrave ka propozuar edhe vendosjen e një rregulli të ri për të gjitha hotelet.

Qeveria do të përcaktojë një nivel minimal për shfrytëzimin e dhomave nga hotelet në çdo muaj të vitit. Kjo bëhet në mënyrë që strukturat akomoduese të mos raportojnë më pak vizitorë në dhomat e tyre duke shmangur edhe pagesën e taksave.

Në këtë mënyrë, pavarësisht se raportimi i hoteleve mund të jetë zero për dhomat në muaj të caktuar, referenca minimale që do të vendoset nga qeveria, do të bëjë të mundur që strukturat të paguajnë pavarësisht situatës së deklaruar.

Projektligji në këtë mënyrë synon të shmangë një nga fenomenet që ndodhi rëndomtë këtë vit, ku pavarësisht numrit rekord të turistëve të huaj në 10.1 milion, strukturat akomoduese raportuan në 11 muaj dy herë më pak në numër duke ngritur dyshime për informalitetin në sektor.

Me projektligjin e ri për turizmin që pritet të kalojë në parlament, do të ngrihet edhe një qendër ndërinstitucionale statistikore që do bashkëpunojë me INSTAT dhe do të ofrojë të dhëna më specifike sipas standardeve të Eurostat. Gjithashtu ligji do të bëjë kategorizimin e strukturave akomoduese, por edhe të operatorëve turistikë, do të mundësojë lidhjen e kontratave të sigurimit për përgjegjësinë e palëve të treta si dhe i jep më shumë përgjegjësi Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për pastërtinë e plazheve dhe nxitjen e investimeve në zonën bregujore.

Top Channel