BERZH: Ekonomia shqiptare do të rritet 3.3%! “Më e stabilizuara në rajon. Faktor turizmi. Rrezik nga ndryshimet klimaterike”

29/01/2024 15:07

Në raportin e saj të përvitshëm të tranzicionit BERZH cilësoi se ekonomia shqiptare është ndër më rezistentet në rajon dhe se do të vijojë rritjen ekonomike edhe vitin e ardhshëm në nivelin 3.3%.

Faktor kryesor për këtë është turizmi. Ndërkohë u vlerësua dhe puna që qeveria ka bërë në kuadrin rregullator për burimet e rinovueshme ku BERZH është një kontribuues kryesor

 “Pyetja më e rëndësishme që ne shtrojmë në këtë raport është si rritja ekonomike mund të përafrojë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor me ato të BE. Ne kemi bërë disa llogaritje të reja dhe ajo çfarë shohim është se në skenarin optimist ekonomia e Shqipërisë mund t’i afrohet atyre të Europës në dy dekada, nëse rritja mesatare është 3-4%. Kjo është relativisht një kohë e gjatë, prandaj duhet që rritja ekonomike të jetë më e lartë, në nivelet 5-6%. Për këtë ne mendojmë se tre janë mënyrat: qeverisje më e mirë, ekonomi më e integruar dhe e hapur, si dhe tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër”, tha Peter Tabak, ekonomist i lartë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, BERZH.

Ndërkohë guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi se institucioni që drejton do të ketë fokus kryesor tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër

 “Së shpejti do të publikojmë një udhëzues për bankat e nivelit të dytë që të marrin si faktor risku edhe dëmin ndaj mjedisit, por edhe përputhshmërinë e projekteve me synimet e tranzicionit të gjelbër”, tha Sejko.

Në raportin e saj BERZH ka vlerësuar se qeveria duhet të ketë në fokus të punës uljes e treguesit të varfërisë, i cili në mënyrë kokëfortë është ndër më të lartit në rajon, pavarësisht rritjes ekonomike të vendit.

Top Channel