“Bashkim në PD ku secili të ruajë identitetin e tij”, Gjekmarkaj: Nëse nuk ndodh, grupi i Bardhit do gjejë formën për të përfaqësuar demokratët

29/01/2024 18:18

Deputeti deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj ka propozuar një rrugë bashkimi për grupin opozitar të Gazment Bardhit.

I ftuar në Top Talk ku foli për situatën në të cilën ndodhet opozita sot, Gjekmarkaj tha se bashkimi në Partinë Demokratike duhet bërë në atë mënyrë që deputetët të ruajnë identitetin e tyre.

“Secili të ruajë identitetin e vet dhe të bashkohet në kornizën e fortë opozitarizmi kundër qeverisë dhe këtij kryeministri”, propozoi Gjekmarkaj i cili tha se nëse nuk ndodh, atëherë duhet gjetur një formë tjetër bashkimi.

“Pjesa më e madhe e opozitës sot, si trup politike në tërësinë e vet funksionon e bashkuar. Unë nuk do doja të vazhdohej me ligjërimin etiketues apo që krijon emocione të forta ndarëse. Secili duhet të marrë përgjegjësi, të ndërgjegjësohet për rolin dhe për votën e  demokratëve që duan një PD të bashkuar dhe të  madhe. Realiteti është ky, por po shkohet në rrugë të mbarë ku grupi ka dhënë shembullin duke funksionuar si i bashkuar. Po kërkohen modalitete dhe forma që PD të bashkohet duke respektuar nuancat e veta, unë besoj që PD që njohim monolite nuk mund të jetë më e tillë, duhet të jetë e nuancave dhe autonomisë së brendshme pse jo parti e fraksioneve, ku secili të ruajë identitetin e vet dhe të bashkohet në kornizën e fortë opozitarizmi kundër qeverisë dhe këtij kryeministri. Kjo do kohën e vet por jemi në rrugën e mbarë. Po shkojmë drejt disa konkluzioneve. Shpresojmë të gjejmë formulën e bashkëjetesës, nëse jo, besoj ky grup etiketohet si grup i Bardhit është mjaft cilësor, ka personazhe me potencial dhe intuitë politike, do ta gjej formën për të qenë i përfaqësuar nga demokratët”- u shpreh Gjekmarkaj në Top Talk.

Top Channel