Drama “e kuqe”! Shfaqet në teatrin e Durrësit nga trupa e Teatrit Eksperimental

27/01/2024 12:24

Durrësi e çeli sezonin e ri artistik me dramën “E Kuqe” të Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, që mbajti të mbërthyer artdashësit nga Durrësi dhe Tirana.

E shkruar nga dramaturgu dhe kineasti i njohur amerikan Xhon Logan dhe e vënë në skenë nga regjisori Altin Basha, shfaqja nxjerr në pah dilemat e forta në jetën e çdo artisti.

“Të bëhem komercial, të rri ekskluziv, të shes 1 milion disqe apo 100, të bëj 100 piktura dhe t’i shes nëpër restorante apo vetëm 2; të bëj shumë filma apo vetëm një?! Komercializmi e ka çuar artin përpara, por e ka bërë dhe të zakonshëm. Kjo është dilema më e madhe që ka Mark Rothko dhe është dilemë e vërtetë, historia e jetës së tij”, u shpreh Gentjan Zenelaj.

Përballja mes profesionalizmit dhe komercializmit të diktuar që çon drejt humbjes së vlerave të vërteta në botën e artit, problematika dhe kontrastet e forta që sjell ajo trajtohen përmes dy personazheve të interpretuar nga Gentian Zenelaj dhe Urim Aliaj.

“Personazhi i Kenit në tërësinë e vet është në konflikt të madh ndjenjash. Jo vetëm të së kuqes, po dhe të bardhës e të zezës. Teatri dhe publiku i Durrësit është shumë madhështor dhe shumë i fuqishëm”, tha aktori Urim Aliaj.

Frika se do vijë një ditë kur e zeza do ta përpijë të kuqen kapërcehet në emër të artit të vërtetë, atij që edukon dhe nxit të bukurën. Drama do të vijojë të shfaqet në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” edhe në fundjavë, për t’u rikthyer sërish në Tiranë për Shën Valentin.

Top Channel