Dosja e sterilizimit/ Ilir Beqaj paraqitet në SPAK, zbaton masën e sigurisë: Oficeri më konfirmoi që hard diskun e marr të martën

26/01/2024 15:50

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur këtë të premte në SPAK, sipas masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar nga Gjykata e Posaçme për koncesionin e Sterilizimit.

“Oficeri më konfirmoi që hard diskun e marr të martën. Dihet që çdo të premte unë jam këtu”, tha për mediat, pasi doli nga SPAK.

Teksa zbaton masën e caktuar nga GJKKO për ‘Sterilizimin’, një hetim paralel ka nisur për të për dyshime që lidhen me fondet e huaja, të koordinuara nga SASPAC, Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, ku Beqaj ishte drejtor.

Situata e ish-ministrit të Shëndetësisë, u rëndua gjatë muajit nëntor 2023, pak muaj pasi SPAK mori aprovimin e gjykatës për caktimin e masave të sigurimit personal, arrest me burg për biznesmenin Ilir Rrapaj.

Beqaj vazhdimisht ka deklaruar se vetëm ka kryer detyrën, ndonëse nga ana tjetër SPAK disponon dokumente, nga të cilat dyshon se Beqaj me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka shpërdoruar detyrën.

Gjykata e Posaçme ka mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, duke kërkuar që ndaj tij të kryhet edhe hetim pasuror, madje ka lëshuar indicie se provat e dhëna nga SPAK çojnë në dyshimet se ish-ministri i Shëndetësisë mund të ketë falsifikuar dokumentet dhe ekziston mundësia që të ketë kryer edhe korrupsion.

Megjithatë, aktualisht ndaj Beqaj është në fuqi masa “detyrim paraqitje”. Çdo të premte, ai duhet të paraqitet në 15:30 para oficerit të BKH-së.

Top Channel